Zhvillimet e fundit për zbatimin e marrëveshjes së vulave doganore ndërmjet Kosovës dhe Serbisë u diskutuan në takimin që komisioneri europian për Zgjerimin, Shtefan Fyle, zhvilloi gjatë pasdites me ministren e Kosovës për Integrimin Europian, Vlora Çitaku.

Sipas njoftimit për shtyp të Komisionit, ministrja Çitaku informoi komisionerin dhe për heqjen e embargos ndaj mallrave të Serbisë, si dhe mbi angazhimin e saj personal për axhendën europiane të vendit.

Përsa i takon nisjes së dialogut për liberalizimin e vizave, Komisioni Europian pret vlerësimet e misionit të ekspertëve që vizituan javën e kaluar Kosovën, të cilët verifikuan procesin e integrimit të personave të riatdhesuar.

Në kuader të raportit vjetor të progresit, komisioneri Fyle ka përmendur rëndësinë e legjislacionit për tregtinë, si dhe masat autonome që duhen ndërmarrë në këtë drejtim, ndërkohë që shpreson se vendet anëtare të BE-së do të gjejnë një marrëveshje për të mundësuar pjesëmarrjen e Kosovës në programet kulturore dhe ato sociale të BE-së.

Komisioneri pret që në raundin e ardhshëm të bisedimeve, në fund të shtatorit, Prishtina dhe Beogradi të arrijnë marrëveshje të tjera për pajtimin dhe bashkëpunimin rajonal.

Këtë mesazh, komisioneri ia përcolli më herët gjatë ditës dhe numrit 2 të qeverisë serbe, Bozhidar Gjelic, të cilit i kujtoi se bashkëpunimi rajonal është element kyc në procesin e Stabilizim Asocimit, proces ky i rëndësishëm për integrimin europian të vendit.

Komisioni Europian vlerëson se në muajt e fundit, Serbia ka mishëruar standartet europiane në disa fusha si ligji elektoral, financimi i partive politike, marrëdhëniet mes Parlamentit dhe organeve të tjera të pavarura, dhe në gjyqësor, ku po rishikohet procesi për emërimet e gjyqtarëve dhe prokurorëve.

Komisioneri kërkon që vendi të shënojë progres në strategjinë e medias, ligjin për kthimin dhe atë mbi pronën publike, sikundër në luftën kundër korrupsionit. Serbia pritet të marrë statusin kandidat në fund të këtij viti dhe pretendon celjen e bisedimeve për antarësim në BE.

Jahjaga-Fyle: Të nisë dialogu për vizat

Presidentja e Kosovës, Atifete Jahjaga është takuar në Bruksel me komisionerin për Zgjerimin, Shtefan Fyle, me të cilin ka diskutuar për të ardhmen evropiane të Kosovës.

Sipas mediave kosovare, gjatë takimit zonja Jahjaga ka deklaruar se Kosova ka përmbushur të gjitha detyrimet shtesë për nisjen e dialogut të liberalizimit të vizave.

“Ky proces duhet të fillojë pa vonesa”, është shprehur kryetarja e shtetit kosovar.

Ndërsa Fyle nga ana e tij ka nënvizuar se Kosova duhet të përshpejtojë zbatimin e reformave për realizimin e aspiratave evropiane.

Fyle: Kosova, jo kusht formal për Serbinë

Komisioneri evropian për Zgjerimin, Shtefan Fyle ka deklaruar se njohja e Kosovës nuk është kusht formal për Serbinë, për afrimin e saj me BE-në.

“E kam thënë disa herë pozicionin e mirënjohur të KE-së, se njohja e Kosovës nuk është kusht formal për integrimin evropian të Serbisë”, ka deklaruar Fyle.

Deklaratën e tij, komisioneri e bëri pas një takimi të zhvilluar me deputetin e opozitës serbe, Tomisllav Nikolic.

Fyle e ka vënë theksin tek rëndësia e bisedimeve dypalëshe, të cilat sipas tij duhet të gjejnë zgjidhje optimale për përmirësimin e jetës së qytetarëve.

“Duhet ende të arrihen zgjidhjet për një seri cështjesh, të cilat pengojnë normalizimin e marrëdhënieve mes dy vendeve”, ka nënvizuar Fyle.

“Është jetike që vijimi i dialogut Prishtinë-Beograd të japë rezultate të mëtejshme, që do të përmirësonin jetën e përditshme të banorëve”, ka shtuar Fyle.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA