Në Prishtinë do të organizohet një festival për fëmijë, i cili do të mbledhë trupat e teatrove të kukullave nga të gjitha hapësirat mbarëshqiptare.
Festivali organizohet në kohën që teatri i të rinjve, fëmijëve dhe i kukullave në Prishtinë, i njohur si “Dodona” shënon 25 vjetorin e themelimit.
Festivalin e Teatrove të Kukullave e mbështet edhe Kuvendi Komunal i Prishtinës, i cili në mars i dha“Dodonës” statusin e ri, duke e emëruar si Teatri i Qytetit të Prishtinës.
“Për këtë 25 vjetor ne do ta shënojmë dhe kemi themeluar festivalin e parë të teatrove dhe kukullave, organizimet e përgatitjet janë bërë të gjitha. Gjithashtu komuna e Prishtinës nga muaji qershor ka filluar me rinovimin e teatrit “Dodona” për t`u përgatitur për këtë festival”, deklaron Vlora Dumoshi, drejtoreshë e Kulturës në Komunën e Prishtinës.
Për shkak të karakterit festiv, këtë herë festivali nuk do të ketë garë, ndërsa për edicionet e ardhshme ka të tjera ambicje.
“Mendoj që këtë vit, 25 vjetori është menduar që të bëhet në mënyrën më të mirë me një festival, i cili i ka munguar jo vetëm Prishtinës, por edhe Kosovës. Për fillim kemi menduar që të jetë festival mbarëkombëtar i teatrit të kukullave, ndërsa më vonë mendojmë që këtë festival ta bëjmë ndërkombëtar dhe të jetë tradicional”, thotë Agim Selimi, drejtor i teatrit “Dodona”.
Në këtë festival që zhvillohet nga data 21 deri në 24 shtator pritet të përfaqësohen teatrot e shumë qyteteve nga Shqipëria, si Tirana, Pogradeci, Korça, Lushnja, apo Berati.
Top Channel