Sekretari i përgjithshëm i Kombeve të Bashkuara, Ban Ki Mun, gjatë një
takimi në Nju Jork me delegacionin kosovar shprehu mbështetjen e tij per
procesin e vendosjes se rendit dhe ligjit në tërë territorin e Kosovës
dhe kerkoi vazhdimin e dialogut me Serbinë.
Delegacioni shtetëror i Kosovës, në përbërje të të cilit eshte; presidentja Atifete Jahjaga, kryeministri Hashim Thaçi dhe ministri i Punëve të Jashtme, Enver Hoxhaj, u takuan të dielën në Nju Jork me sekretarin e përgjithshëm të Kombeve të Bashkuara Ban Ki-Mun, me të cilin biseduan për zhvillimet e fundit në vend, pas vendosjes së policëve dhe doganierëve në dy pikat kufitare në veri.
Delegacioni kërkoi nga Ban Ki-Mun përkrahjen ndaj institucioneve legjitime të Kosovës për ta shtrirë rendin dhe ligjin në veri, si dhe kërkuan që të bëjë presion ndaj Serbisë që të heqë dorë nga mbështetja që po u jep strukturave paralele serbe në veri.
Ban Ki Mun i dha mbështetje procesit për vendosjen e rendit dhe ligjit në tërë Kosovën dhe njëherësh kërkoi nga ata te ruajnë rendin dhe qetësinë, të jenë konstruktiv dhe të vazhdojnë dialogun me Beogradin për çështje praktike, i cili po ndërmjetësohet nga Bashkimi Evropian. Delegacioni shtetëror i Kosovës udhetoi dje për në SHBA, ku do të zhvillojne një varg takimesh bilaterale me liderët e vendeve të ndryshme, gjatë sesionit vjeshtor të Asamblesë së Përgjithshme të OKB-ve.
Presidentja Jahjaga, sipas RTK-së, u shpreh se aksioni i përbashkët i Policisë së Kosovës me KFOR-in dhe EULEX-in për zbatimin e marrëveshjes për vulat doganore me Serbinë, dëshmon partneritetin e Kosovës me bashkësinë ndërkombëtare.
Jahjaga tha se statusi special për veriun e Kosovës do të rrënonte këto arritje dhe nuk do të garantonte integrimin por do të çonte drejt ndarjes. Ajo tha se Kosova do që të vendos rendin dhe ligjin dhe normalitetin si dhe t’i jap fund mosndëshkimit me qëllim të zhvillimit ekonomik dhe shtrirjes së kushtetutshmërisë për të gjithë qytetarët pa dallim, që jetojnë në veri.
Ndërkaq Kryeministri Thaçi, gjatë takimit e njoftoi Sekretarin e Përgjithshëm Ban Ki Mon për së afërmi me zhvillimet e fundit në Republikën e Kosovës. Kryeministri Thaçi, tha se Qeveria e Kosovës në bashkëpunim me faktorët relevant ndërkombëtar, dy muajt e fundit ka ndërrmarë disa veprime për të vendosur sundimin e ligjit edhe në pjesën veriore të Kosovës. Kryeministri Thaçi ka theksuar në takim se Qeveria është e përkushtuar që në Kosovë të luftohet krimi dhe dukuritë tjera negative, të cilat fatkeqësisht që 12 vite janë toleruar në pjesën veriore të vendit, thuhet në njoftimin e zyrës së kryeministrit. Duke folur për bisedimet ndërmjet Kosovës dhe Serbisë kryeministri Thaçi ka theksuar se “është jetike që marrëveshjet e arritura të respektohen nga Serbia. Kosova është e përkushtuar ta implementojë pjesën e saj të përgjegjësive që dalin nga marrëveshjet, dhe të njëjtën gjë duhet ta bëjë edhe Serbia.” Jahjaga dhe Thaçi kanë theksuar se Kosova është e përkushtuar që të bëhet anëtare e OKB-së dhe se kjo rrugë nuk ka alternativë tjetër.
Top Channel