Skandali i fundit me natyrë seksuale që ka përfshirë sërish kryeministrin Silvio Berlusconi është cilësuar si një tsunam i vërtetë politik për të, i paprecedent në historinë e shtetit italian.
Nga përgjimet telefonike del figura e një politikani tanimë pre e veseve dhe nën presione të shumta. Kryesisht nga ana e një sipërmarrësi barez, Gianpaolo Tarantini, i cili ndodhet në burg me akuzën e shantazhit.
Mekanizmi i marrëdhënies mes Tarantinit dhe Berlusconit mund të përmblidhet në pak fjalë: njëri i organizonte takime në çdo orë të natës e të ditës me vajza të bukura e të gatshme t’i ofroheshin kryeministrit; ky i fundit, si shpërblim i rregullonte kontrata e tendera.
Nga telefonatat e përgjuara, flitet për 100 mijë të tilla, del se ambicia e Giampaolo Tarantinit ishte e pafrenueshme. Synonte pjesëmarrjen në shoqëri aksionere të fuqishme dhe fitimin e tenderave prej disa milionë eurosh.
Sipërmarrësi rrëfen në telefon se ka për qëllim të fitojë edhe atë për realizimin e gazsjellësit mes Italisë dhe Shqipërisë.
Ndërsa çdo ditë dalin detaje të reja të të ashtuquajturit “haremi i Berlusconit”, në një shkrim të botuar në gazetën “Il Foglio”, kryeministri shkruan “nuk kam bërë asgjë për të pasur turp”.
Opozita dhe ish-aleati, Fini kërkojnë dorëheqjen e atij, që siç e përcakton veten gjatë një bisede me një nga modelet; Jam kryeministër vetëm në kohën e lirë”.
Top Channel