Libi, kryengritësit vazhdojnë sulmet

18/09/2011 12:20

Kryengritësit, apo forcat pro-qeverisë së përkohshme në Libi po avancojnë, megjithëse me ngadalë, në Sirte, e konsideruar si fortesë e besnikëve të Kolonelit Muamar Gedafi.

Përleshjet janë intensifikuar edhe në Bani Valid.

Vendndodhja e kolonelit nuk dihet ende. Ai është në arrati prej muajit gusht, kur forcat kryengritëse morën nën kontroll Tripolin. Besnikët e tij vazhdojnë të mbajnë nën kontroll Sirten, Bani Validin dhe disa qytete të tjerë, ndërsa trupat e Këshillit Kombëtar të Tranzicionit po përpiqen të marrin nën kontroll të gjithë Libinë.

Një zëdhënës i Këshillit Ushtarak në Misurata, në bregdetin mes Sirtes dhe Tripolit tha se kryengritësit kanë avancuar, duke ju afruar prej 7 km qendrës së qytetit.  

Lëvizja e tyre është e ngadaltë, shpeshherë janë vënë në shënjestër të granatave dhe armëve. Sipas BBC-së, ka raportime kontradiktore, ndërsa zëdhënësi i Këshillit Kombëtar të Tranzicionit flet për kontrollin e aeroportit dhe një baze ajrore, në terren kryengritësit thonë se vazhdojnë luftimet në afërsi të aeroportit.  

Në qytet mungon energjia elektrike, ushqimet, uji i pijshëm apo medikamentet. Të paktën 8 luftëtarë u vranë të shtunën duke e çuar në 30 numrin e të vrarëve.

Shumë të tjerë u plagosën. Ka raportime kontradiktore për bombardimin e NATO-s në Sirte që vuri në shënjestër një numër të madh luftëtarësh të Gedafit.

Zëdhënësi i Kolonelit, Musa Ibrahim, foli për 300 civilë të vrarë. Sipas BBC, asnjë prej deklaratave nuk mund të verifikohet, por ngjarjet në të shkuarën sugjerojnë se të tilla pretendime nga ana e përkrahësve të Gedafit kanë rezultuar të pabaza.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA