Zhbllokimi i rrugëve që të çojnë në pikat kufitare 1 dhe 31 nuk është përgjegjësi e autoriteteve kosovare të policisë.
Ministri i Punëve të Brendshme, Bajram Rexhepi, në një intervistë për Top Channel tha se kjo është përgjegjësi e KFOR-it dhe EULEX-it dhe për këtë aktualisht nuk ka ndonjë plan.
“Përsa i përket barrikadave, përsëris se kjo mbetet përgjegjësi e KFOR-it dhe EULEX-it, por nëse kërkohet edhe përfshirja e policisë sonë nuk ka problem. Ata kanë rrugë alternative për furnizim, por nëse bëhen pengesë për KFOR-in barrikadat do të hiqen”, shprehet Rexhepi.
Në këtë situatë, pa ndonjë plan për mundësimin e lëvizjes së lirë, ministri ftoi qytetarët serbë që në vend që të qëndrojnë në barrikada të fillojnë përgatitjet për sezonin e vjeshtës dhe dimrit.
“Është më mirë që ata serbë që rrinë në barrikada të përgatiten për vjeshtën e dimrin se sa të qëndrojnë aty, por kjo është çështja e tyre”, shtoi ministri i brendshëm.
Ministri mohoi informacionet se doganierët serbë kanë refuzuar të shkojnë në pikën 1 dhe 31, por nëse kjo ndodh ai ka një porosi për ta: “Nëse ata pengohen nga barrikadat duhet të lajmërojnë, por nëse refuzojnë të kthehen në punë do të shkarkohen nga detyra.”
Ministri Rexhepi përjashtoi mundësinë që një gjë e tillë mund ta bëjë veriun pjesë të bisedimeve me Serbinë: “Kjo është çështje e brendshme e Kosovës dhe nuk do të ketë bisedime me Serbinë.”
Ndërsa se çfarë detyre po kryejnë aktualisht doganierët kosovarë në dy pikat që janë jashtë funksioni, këtë e sqaroi drejtuesi i tyre për rajonin e Mitrovicës, Ekrem Grabanica.
“Ndërrimi I doganierëve bëhet çdo 24 orë për momentin. Të shohim në vazhdim si do të procedohet. Nëse paraqiten mallra për zhdoganim, doganierët tanë janë të gatshëm të kryejnë punën e tyre”, deklaron Grabanica.
Situata e sigurisë mbetet e tensionuar në veri të Kosovës, ku herë pas here gjatë mbrëmjes së të shtunës dëgjoheshin të shtëna armësh, të cilat policia nuk mund t’i lokalizonte.
Mbi urën kryesore të lumit Ibër herë pas here shtohen masat e sigurisë.
Serbia vazhdon embargon
Teksa Kosova e hoqi bllokadën ndaj produkteve serbe, Beogradi vazhdon të pengojë bizneset kosovare në kufi.
Zyrtarë doganorë në pikën kufitare me Serbinë në Merdarë bënë të ditur për ‘Kosovapress’ se përgjatë dy ditëve në drejtim të Kosovës kanë hyrë 27 kamionë me prodhime serbe, ndërsa nuk është eksportuar asnjë produkt kosovar, për arsye se Dogana e Serbisë nuk e ka lejuar një gjë të tillë.
Drejtuesi i Njësisë në Doganën e Merdarës, Sherif Havolli, tha se kamionët nga Kosova janë kthyer mbrapsht me arsyetimin se nuk kanë ende një shkresë zyrtare nga Dogana Qendrore e Serbisë në lidhje me zbatimin e marrëveshjes për vulat, e arritur mes Prishtinës dhe Beogradit, më 2 shtator në Bruksel.
Por sipas shtypit të ditës në Prishtinë, ministrja e tregtisë Mimoza Kusari Lila ka thënë se nëse Serbia vazhdon embargon, atëherë bllokada për mallrat serbe do të rivendoset ditën e hënë.
Serbia propozim Brukselit për doganat
Ndërsa pikat doganore 1 në Jarinë dhe 31 në Bërnjak tashmë ndodhen nën kontrollin e KFOR, EULEX dhe Policisë së Kosovës, Beogradi shpalos planin e tij të ri të veprimit për të kundërshtuar këtë hap të Prishtinës.
Serbia ka dorëzuar në Bruksel një kërkesë ku kërkon futjen në diskutime me palën kosovare të pikave doganore 1 dhe 31. Kryenegociatori i palës serbe, Borko Stefanoviç, tha se propozimi ofron një zgjidhje të “arsyeshme” dhe të pranueshme që lë të kënaqura të dyja palët.
Stefanovic tha se tashmë pritet një përgjigje nga Brukseli para datës 28 shtator, kur mbahet edhe raundi i radhës i bisedimeve, për propozimin serb.
Propozimi serb është hedhur poshtë nga autoritetet e Prishtinës. Ministri i Brendshëm, Bajram Rexhepi, deklaroi se cështja e doganave nuk do të jetë në axhendën e bisedimeve me Serbinë, pasi kjo cështje është cështje e brendshme e Republikës së Kosovës.
Ndërkohë, situata në Veri ditën e dielë raportohet disi më e qetë në krahasim me dy ditët e kaluara, megjithëse rrugët dhe ura mbi lumin Ibër vazhdojnë të mbeten të bllokuara. Ndërkohë që qytetarë shqiptarë dhe serbë në disa fshatra të Mitrovicës raportuan për të shtëna armësh sporadike.
Top Channel