Wikileaks, në ankand sendet e Assange

17/09/2011 11:20

Faqja e internetit Wikileaks ka nxjerrë në shitje një koleksion
objektesh të vecanta të lidhura me themeluesin e saj, Julian Assange.

Veprimi në fjalë synon të rrisë të ardhurat për web site-n. Mes objekteve të vendosura në eBay janë një qese me kafe burgu dhe një kompjuter laptop.

Ankandi ka nisur me cmimet 315 dollarë për kafenë dhe 6 mijë dollarë për kompjuterin. Wikileaks ndodhet nën një presion të madh financiar, për shkak se burimet e financimit të saj janë shteruar.

Faqja në fjalë është kritikuar ashpër nga qeveri të ndryshme pasi ka publikuar mesazhe “pikante” diplomatike të SHBA, të cilat sipas analistëve mund të vënë në rrezik personat që tregohen si burime.

Përplasjet mes Assange dhe bashkëpunëtorëve të tij lidhur me stilin e menaxhimit kanë dëmtuar akoma më shumë web site-n.

Vetë Assange është gjithashtu duke luftuar kundër ekstradimit të tij në Suedi, ku akuzohet për abuzim seksual ndaj dy femrave.

Objektet e nxjerra në shitje kushtojnë shumë për shkak të lidhjes së tyre me Assange. Një fotografi e tij, shitja e të cilës nis me 947 dollarë, mban shkrimin “Julian A, Ellingham Hall, 10 korrik 2011, nën arrest shtëpie dy ditë para paraqitjes në gjykatë”.

Ndërsa qesja me kafe thuhet se është nxjerrë ilegalisht nga burgu ku Assange qëndroi për disa ditë, para se të lirohej me garanci në dhjetor të vitit 2010.

Top Channel