Veprimet e institucioneve të Kosovës për vënien nën kontroll të pikave kufitare në Veri të vendit janë aktivitete me të cilat ndihmohet stabiliteti i përgjithshëm i rajonit.
Kështu është shprehur zv/kryeministrja për euro-integrime në Qeverinë e Shkupit, Teuta Arifi. Ajo ka thënë se ngjarjet në Veri të Kosovës nuk mund të cënojnë situatën e sigurisë në Maqedoni.
“Dje isha në Prishtinë ku pata një takim me zonjën Edita Tahiri, e cila më informoi për aktivitetet e ditës së sotme dhe në të njejtën kohë më informoi se aktivitetet që i ndërmarrin janë të koordinuara me faktorin ndërkombëtar. Shpresoj se të gjitha aktivitetet të cilat ndërmerren janë aktivitete të shkojnë në të mirën e rajonit dhe aktivitete me të cilat do të ndihmohet stabiliteti i përgjithshëm i rajonit. Rajoni i Ballkanit Perëndimorë patjetër duhet të dalë nga koncepti i të kaluarës dhe të orientohet drejt një koncepti europian dhe progresiv”, tha Arifi.
Këtë deklaratë zonja Arifi e ka bërë pas një takimi me ambasadorin e ri amerikan në Maqedoni, Paul Uohlers me të cilin janë marrë vesh që muajin e ardhshëm të organizojnë në Shkup një takim të përbashkët me zv/kryeministrat për cështje europiane të të gjitha vendeve të Ballkanit, ku do të ftohen edhe Kosova dhe Serbia.
Top Channel