Breivik, i filmuar para atentateve në Oslo

17/09/2011 09:40

Anders Behring Breivik, ekstremisti i djathtë përgjegjës për masakrën e
dyfishtë të 22 korrikut në Norvegji ku humbën jetën 77 persona, 6 minuta
para atentatit me bombë në qendër të Oslos është filmuar nga
telekamerat e sigurisë në ndërtesën e qeverisë.

Sipas raportimeve të BBC online, një fotogramë e pamjeve të regjistruara me qark të mbyllur është publikuar në faqen e internetit ABC Nyheter.

Breivik mund të njihet fare mirë, edhe pse është i veshur me një uniformë policie. Autoritetet norvegjeze kanë deklaruar se pamjet, të cilat do të hapin pista të reja hetimi, janë autentike.

ABC Nyheter shkruan se, kush kishte për detyrë vëzhgimin e pamjeve që nga kamerat transmetoheshin në monitorët mbikëqyrës brenda ndërtesës, nuk bëri asgjë për të dhënë alarmin.

Një zëdhënës i policisë së Oslos ka deklaruar se fotograma është marrë në dorëzim nga hetuesit dhe është pjesë e një dosjeje të rezervuar, të vënë në dispozicion vetëm për familjarët e viktimave dhe të atyre që arritën t’i shpëtonin masakrave.

Më 19 shtator, Breivik do të paraqitet në gjykatë, në një seancë të hapur për publikun, në të cilën do të vendoset nëse dhe në cilat kushte, burgimi i tij duhet të zgjatet.

Cilët ishin fjalët e para të Breivik?

Anders Behring Breivik, pasi pranoi të dy veprat: vendosjen dhe aktivizimin e lëndës shpërthyese në zonën qeveritare në Oslo, si dhe vrasjen e shumë të rinjve në ishullin e Utoya-s e ka quajtur veprën e tij si të “tmerrshme, por të domosdoshme”. Në shtëpinë e tij, rreth 140 kilometra nga Oslo, i akuzuari ka përgatitur për një kohë të gjatë një bombë me të cilën do të sulmonte zonën qeveritare. Për një kohe të gjatë kishte mbledhur lëndët e duhura për ndërtimin e bombës. Breivik është një i krishterë fondamentalist i lidhur me ekstremistë të krahut të djathtë.

Breivik projektoi sulmin për dy vjet

Autori i masakrës në Norvegji është autor i një përmbledhjeje me 1500 faqe e quajtur “2083 deklarata e pavarësisë europiane”, me projektin e atentatit të Oslos. Breivik po i përgatiste sulmet të paktën që nga vjeshta e vitit 2009. Në dokument, norvegjezi shpjegon me detaje planin duke treguar se “përdorimi i terrorizmit ishte një mjet që mund të zgjonte masat” dhe se shpresonte të kujtohej si “monstra më e madhe pas Luftës së Dytë Botërore”. Policia norvegjeze ka deklaruar se dokumenti u publikua online të premten më 22 korrik, ditën e atentateve.

Dokumenti mban emrin Andrew Berwick, pseudonimi në gjuhën angleze i njeriut që ka rrëfyer se është autor i atentateve. Simbole kelte dhe historia e kalorësve tempalë, nga kërkimi i Gralit të Shenjtë, te kryqi i Jerusalemit: janë disa nga kapitujt e vëllimit 1500 faqe të përgatitur nga killer-i.

Në tekst ai i referohet popullit europian duke folur për “persona të lirë indigjenë të Europës, duke deklaruar luftë të hapur kundër gjithë elitave marksiste dhe multikulturaliste të Europës Perëndimore. E dimë kush jeni, ku jetoni dhe po vijmë për ju”. Në manifest flitet për hakmarrje ndaj të gjithë atyre që kanë tradhtuar Europën. “Po mundohemi të gjejmë çdo tradhtar të vetëm multikulturalist të Europës Perëndimore. Ju do të ndëshkoheni për aktet tuaja tradhtare ndaj Europës dhe europianëve”.

Në manifest u referohet edhe viktimave të ardhshme. “Për të realizuar me sukses censurën e mediave kulturore marksiste dhe multikulturaliste do të jemi të detyruar të ndërmarrim  operacione brutale dhe të tmerrshme që do të sjellin viktima”. Por ky dokument i postuar në internet nga Anders Behring Breivik për të shpjeguar motivet e veprimit të tij është kopjuar gjerësisht dhe nuk është një punim i tij. Kështu shkruan e përditshmja norvegjeze “VG” e cila vë përballë dy dokumentet nga ku nxjerr se vetëm disa fjalë janë zëvendësuar dhe gjithë të tjerat ishin kopjim.

Babai i masakruesit: Të vriste veten

Në një intervistë nga shtëpia e tij në jug të Francës, babai 76-vjeçar i kriminelit tha se nuk ndihej si i ati i Anders. “Si është e mundur që ai vrau me gjakftohtësi dhe qetësi kaq shumë njerëz dhe vazhdon të mendojë se ka bërë një gjë të mirë? Ai duhet që t’ia kishte hequr edhe vetes”, – ka deklaruar plaku, një ish-diplomat me profesion, ndërsa ka shprehur gjithë dëshpërimin dhe dhimbjen e zhgënjimin e tij. Më pas ka shtuar: ”Jam përfshirë në një gjë të tillë të tmerrshme, më pëlqen apo jo, sepse jam i ati dhe shpresoj vetëm që njerëzit të më besojnë se nuk kam të bëj me një gjë të tillë. Do të më duhet të jetoj me turp për pjesën tjetër të jetës dhe njerëzit do të më lidhin gjithmonë me këtë masakër.

Monstra e Norvegjisë kishte edhe objektiva të tjerë

Njeriu që shkaktoi 77 viktima ka deponuar gjatë seancave të marrjes në pyetje nga ana e policisë se ka pasur edhe objektiva të tjerë për të goditur. Anders Breivik është marrë në pyetje 10 orë rresht  për të verifikuar detajet e deklaruara në seancat e kaluara dhe për t’u përgjigjur në lidhje për çështje të tjera. Policia nuk i ka konfirmuar këto njoftime, por thuhet se ai ka dashur që të sulmojë me bombë edhe zyrat qendrore të Partisë Laburiste në Oslo.

Për sa i përket Breivik, dhe shumë ekstremistëve të tjerë, ata fajësojnë laburistët për shtimin e numrit të emigrantëve në vend. Sulmi i së premtes së 22 korrikut e traumatizoi Norvegjinë, që është një nga shtetet më tolerante dhe më të stabilizuara në të gjithë botën, me një kulturë të lartë demokratike dhe me një respekt të madh për liritë dhe të drejtat e njeriut. Policia, sipas disa burimeve, ka bërë të ditur se i dyshuari ka folur edhe për disa objektiva të tjerë që ka pasur në plan të godiste. Por duket se ndër to vetëm dy ishin “të suksesshëm”, ai i Oslos dhe i ishullit në të cilin u vranë dhjetëra të rinj që ishin mbledhur për një aktivitet të rinisë laburiste.

Sipas burimeve, Anders duket shumë i gatshëm për të bashkëpunuar dhe për të shpjeguar se si organizoi gjithçka dhe cilat ishin arsyet që e shtynë të ndërmerrte këtë kasaphanë, që për Norvegjinë është më e rënda e përjetuar që pas Luftës së Dytë Botërore. Pa cituar burimet e saj, një gazetë norvegjeze raportoi se i dyshuari për masakrën kishte madje në plan edhe goditjen e pallatit mbretëror, për shkak të vlerës së tij simbolike dhe zyrave qendrore të Partisë Laburiste, për shkak të urrejtjes që kishte për këtë parti.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA