“Regjistrimi, anti-kushtetues, tekë e Athinës”

16/09/2011 00:00

“Basti im ka qenë ky; nëse në fund të procesit të Gjykatës Kushtetuese do të rezultojë që ndryshimi i kombësisë dhe manipulimi ka qenë kushtetues unë do të dorëzoj detyrën time”.

Kështu deklaroi në vijim të fjalës së tij në Top Story, përfaqësuesi i Aleancës Kuqezi, Kreshnik Spahiu duke nënkuptuar procesin gjyqësor në Gjykatën Kushtetuese që pritet të shqyrtojë kërkesën për kushtetueshmërinë e ligjit për regjistrimin e popullsisë mbi baza etnike dhe fetare.

“Jam i gatshëm nëse Gjykata Kushtetuese shprehet se ligji i servirur nga Athina, që thotë se lënia e kombësisë shqiptare për atë greke është kushtetuese, unë lë detyrën. Por nëse arbitri, që është Gjykata Kushtetuese e hedh poshtë, përgjegjësia do të bjerë mbi ata që miratuan ligjin e 2003-t, duke krijuar precedentin e vetëm në Europë ku ndryshohet kombësia. Me kombësinë lind, nuk shndërrohet, ndryshe shtetësia. Cfarë do të ndodhë nëse Gjykata Kushtetuese do të thotë se gjithë ky proces ka qenë anti-kushtetues?”, thotë Spahiu.

Më tej lideri i Aleancës Kuqezi tha se kombësia është shndërruar në një mall tregu me letra nga kisha dhe certifikata falso dhe shtoi se Aleanca që ai udhëheq nuk është kundër regjistrimit, por kundër përfshirjes në të të dy pyetjeve, atë për besimin fetar dhe për përkatësinë etnike.

“Ne jemi vetëm kundër 2 pyetjeve. Shteti nuk mund të vijë të më pyesë se cfarë feje kam dhe jemi kundër regjistrimit mbi baza etnie. Asnjë ligj nuk parashikon që në census të futet pyetja për deklarimin e fesë dhe etnisë”, deklaroi Spahiu.

“Regjistrimi, tekë e Athinës”

Zoti Spahiu tha se regjistrimi në këtë formë është kërkesë e Athinës në këmbim të mbështetjes në rrugën e integrimit të Shqipërisë në BE. Ai e cilësoi regjistrimin si “kriter të 13”, i bashkangjitur 12 kritereve të Brukselit për procesin e integrimit.

Spahiu shtoi se parashikimi i gjobës deri në 1 milion lekë për deklarim të rremë, është fiktiv, pasi nuk është ngritur një sistem referencial që do të verifikojë deklarimet nëse janë të vërteta apo të rreme.

Biseda precipitoi në një debat të fortë mes Spahiut dhe Stavri Markos (gazetar dhe përfaqësues i minoritetit grek) pro dhe kundër regjistrimit mbi baza etnike dhe fetare.

“Aleanca Kuqezi, jo parti politike”

Lidhur me akuzat dhe kundërakuzat për cështjen e regjistrimit me kryeministrin, Sali Berisha, kreu i Aleancës Kuqezi, Kreshnik Spahiu tha se ndjehet i befasuar me fjalorin e përdorur dhe se ndaj fakteve dhe argumenteve të paraqitura nga Aleanca nuk janë ofruar asnjëherë kundër-argumente.

Zoti Spahiu përjashtoi zërat që flasin për një transformim në parti politike të organizatës që udhëheq. Ai mohoi gjithashtu se pas qendron Presidenti i Republikës. Të gjitha këto zëra, tha ai, janë intriga që synojnë dëmtimin e Aleancës Kuqezi.

“Jam befasuar nga tejkalimi i fjalorit, epitetet e përdorura. Aleanca Kuqezi nuk ka bindje politike. Aleancën Kuqezi nuk e bashkon asgjë në bindje politike, anëtarët janë me bindje krejtësisht të ndryshme. Në dy forma është kërkuar të dëmtohet Aleanca, e para që Aleanca do të shndërrohet në parti politike dhe e dyta se pas kësaj qendron presidenti, Bamir Topi”, u shpreh Spahiu.

Më tej, pasi shprehu besimin se Gjykata Kushtetuese do të marrë një vendim të drejtë për procesin e regjistrimit dhe për kushtetueshmërinë e ligjit për regjistrimin, ditën e premte, Spahiu vuri në dukje se një census i kësaj forme, i pohuar publikisht nga Athina se është kërkuar prej saj, nuk aplikohet as nga vetë Greqia.

Wikileaks, Spahiu: Fakt, kam marrë kërcënime

Pyetjes lidhur me vërtetësinë e një kabllogrami të ish-ambasadorit amerikan, Withers, drejtuar Departamentit të Shtetit, e zbardhur pak ditë më parë nga Wikileaks, ku përmendej nënkryetari i Këshillit të Lartë të Drejtësisë, Kreshnik Spahiu të denonconte pranë diplomatëve amerikanë, sic thuhet shprehimisht në kabllogram “frikën për sigurinë personale dhe profesionale”, Spahiu zgjodhi t’i përgjigjej me deklaratën e ambasadorit aktual amerikan, Aleksandër Arvizu, duke lënë të kuptohet se kishte patur kërcënime.

“Ashtu sic deklaroi edhe Arvizu këto janë fakte dhe shqiptarët duhet të reflektojnë mbi to. Diplomacia amerikane është diplomacia e reflektimit mbi informacionin”, deklaroi Spahiu.

Denoncimi i Spahiut pranë ambasadës amerikane përmendet edhe në një kabllogram për ish-shefin e Shtabit të Ushtrisë, Luan Hoxha.

Top Channel