Këshilli i Sigurimit ka diskutuar me dyer të mbyllura për Kosovën, për
disa orë. Por, ambasadori rus në OKB, Vitali Çurkin është treguar i
padurueshëm, kur shefi i diplomacisë kosovare, Enver Hoxhaj ishte në
mesin e fjale para mediave, pas seancën, kur kishte kaluar ora 3.00 e
mëngjesit.

“Nuk ke të drejtë të jesh aty dhe të flasësh pa prezencën e UNMIK-ut” i është drejtuar ministrit të Jashtëm të Kosovës, Hoxhaj, ambasadori rus, i cili ishte afruar tek vendi ku mbahen konferencat për media.

“Nuk mendoj kështu” i është përgjigjur Hoxhaj ambasadorit rus, i cili vazhdojë të marrë pyetjet nga gazetarët e pranishëm. Pas kësaj konference per shtyp Hoxhaj u afrua tek ambasadori rus, Churkin. Ia zgjati dorën dhe qeshi me atë që ai e bëri para pak minutash. Më pas ambasadori rus në OKB tha se i respekton përfaqësuesit e Prishtinës, dhe se gjithmonë i dëgjon me vëmendje kur vijnë e flasin në OKB, por ata në këtë ndërtesë, sipas tij, nuk mund të flasin pa prezencën e UNMIK-ut. Me pas Churkin u nervozua nga pyetjet e gazetarëve nga Kosova, për sjelljen e mëhershme të tij, dhe tha se: “Ishte thjesht këshillë miqësore. Nuk është se i rashë me grusht zotit Hoxhaj”.

Ndërkohë gjatë mbledhjes me dyer të mbyllura, ministri i Jashtëm i Kosovës, Enver Hoxhaj citohet të ketë thënë se marrja e kontrollit në pikat kufitare në veri nuk paraqet akt unilateral, dhe se me këtë pajtohen shumica e anëtarëve të Këshillit të Sigurimit. Këshilli i Sigurimit nuk ka miratuar propozimin e Rusisë për të nxjerrë një deklaratë, me të cilën do t’i kërkohej shqiptarëve dhe serbëve të Kosovës të shmangin dhunën dhe t’i zgjidhin mospajtimet përmes dialogut.Pas seancës, sekretari gjeneral i OKB-së, Ban Ki Mun, ka shprehur shqetësimin e tij për rritjen e tensioneve në veri. Ai u ka bërë thirrje të gjitha palëve të përfshira qqë të përmbahen nga veprimet e njëanshme, të cilat do të mund t’i përshkallëzonin tensionet në atë zonë.

Gjendja në mëngjes 

Në Kosovë ka nisur të zbatohet sot plani i qeverisë kosovare në koordinim me ndërkombëtarët, për dërgimin e doganierëve në veri të vendit. 

Situata e krijuar si pasojë e refuzimit të serbëve të Kosovës për të pranuar këtë realitet të ri, në përgjithësi ka qenë e qetë gjatë natës. Pa incidente, por sërish e tensionuar. 

Serbët bllokuan me kamionë njërën prej pikave kufitare ku prej vitesh nuk ka qenë shtrirë autoriteti i qeverisë kosovare, atë në Jarinjë. Siç raportohet, edhe forcat e KFOR-it bllokuan pikën tjetër, atë të Bërnjakut, duke vendosur tela me gjemba.

Po ashtu, KFOR-i ka vendosur njoftime në afërsi të dy pikave kufitare, 1 dhe 31 ku paralajmërohet se do të qëllohet çdokush që provon të afrohet pa leje të posaçme.

Nuk kanë munguar, ashtu siç pritej, edhe vizitat e zyrtarëve të Beogradit. Ministri serb për Kosovën në qeverinë e Serbisë, Goran Bogdanoviç ka vizituar serbët e grumbulluar tek pika kufitare 1 në Jarinjë, të cilët i kanë thënë se do të qëndrojnë aty gjatë gjithë natës.

Por nga ana tjetër edhe shqiptarët që banojnë përtej urës së ndarjes në Mitrovicë kanë qëndruar vigjilente gjatë natës.
 
Sipas korrespondentes së Top Channel, Valdete Osmani, para pak çastesh janë grumbulluar në afërsi të lumit Ibër qindra serbë që pritet të zhvillojnë një protestë.

Gjitashtu, operacioni për vendosjen e doganierëve ka nisur, por nuk mund të konfirmohet nëse policët dhe doganierët kosovarë janë vendosur në pikat kufitare.

 

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA