Në Maqedoni janë regjistruar sërish akte raciste ndaj besimit mysliman. Pas kualifikimit të Maqedonisë në një turne basketbolli, shumë tifozë maqedonas nisën festimet, të cilat degjeneruan me sulme ndaj xhamisë së Kumanovës.
Lajmin e bën të ditur agjencia “INA”, sipas të cilës tifozët gjatë mbrëmjes kanë goditur dyert e xhamisë në përpjekje për t’u futur në të, por nuk ia kanë arritur.
Si kundërpërgjigje, ata vendosën në dyert e objektit të kultit dy flamuj maqedonas, si dhe bënë fotografi në të.
“Një numër i madh tifozësh maqedonas erdhën para xhamisë dhe vendosën dy flamuj maqedonas. Madje, ata tentuan të hynin brenda, por dyert ishin të mbyllura”, ka treguar një banor shqiptar i Kumanovës.
Për fat të miër ngjarja ndodhi pasi besimtarët kishin përfunduar lutjet dhe për rrjedhojë nuk ka pasur lëndime.
I njëjti burim ka shtuar më tej se, edhe pse në afërsi të zonës ndodheshin policë maqedonas e shqiptarë, ndaj tifozëve nuk ka pasur asnjë ndërhyrje.
Top Channel