Sekretari amerikan i Thesarit, Timothy Geithner ka paralajmëruar liderët evropianë që të lënë mënjanë “fjalimet e kota”, duke iu referuar ndarjeve për mënyrën e zgjidhjes së krizës së borxhit grek.
Duke folur pas samitit të ministrave të Financave të eurozonës, të mbledhur në Poloni, Geithner tha se u kishte thënë atyre se, “ndarjet janë shumë të dëmshme”.
Disa nga ministrat nuk e pritën mirë deklaratën e zyrtarit amerikan, pasi janë mes atyre vendeve që kanë vonuar vendimin për ndihmat e Greqisë.
“Ajo që dëmton më shumë nuk është vetëm ndarja në debatin mbi strategjinë e Evropës, por konflikti i vazhdueshëm mes vendeve dhe Bankës Qendrore Evropiane”, u tha Geithner ministrave.
Ai nënvizoi se qeveritë dhe bankat kryesore duhet të nxjerrin tregjet nga rreziku katastrofik që u kanoset.
Ndërkohë, ministrja austriake e Financave, Maria Fekter ishte një nga politikanët e eurozonës që ngriti zërin kundër sekretarit të Thesarit.
“Më duket shumë e cuditshme që edhe pse Amerika i ka të dhënat mbi ekonominë edhe më negative se eurozona, të na tregojë neve se cfarë duhet të bëjmë”, tha ajo.
Liderët e eurozonës do të vendosin në tetor nëse të lirojnë këstin e ardhshëm prej 8 miliardë eurosh për Greqinë.
Pritshmëritë se vendimi do të shtyhej përtej shtatorit janë rritur pas një vizite që bënë në Athinë disa zyrtarë të Bankës Qendrore Evropiane në fillim të muajit.
Kriza, Barroso propozon eurobondet
Presidenti i Komisionit Europian, Jose Manuel Barroso propozoi eurobondet për të zgjidhur krizën e Eurozonës, duke e konsideruar si sfidën më serioze të një brezi.
Propozimi i tij në Parlamentin Europian u duartrokit nga deputetët dhe vjen pak para takimit mes kancelares gjermane Angela Merkel, presidentit francez Nicolas Sarkozy dhe kryeministrit grek, Jorgo Papandreu, ku do të flitet për të gjetur zgjidhje përballë problemit të borxhit.
“Dua të konfirmoj se Komisioni së shpejti do të paraqese opsionet për paraqitjen e eurobondeve. Disa nga këto opsione mund të zbatohen brenda afateve të traktatit altual, të tjerat do të kërkojnë ndryshime të tij”, deklaroi Barroso.
Barroso nënvizoi se këto masa nuk janë të mjaftueshme për të zgjidhur krizën e borxhit të eurozonës.
“Por ne duhet të jemi të ndershem, kjo nuk do te sjellë një zgjidhje të menjëhershme për të gjithë problemet me të cilat përballemi dhe do të vijë si një element i përqasjes gjithëpërfshirëse për integrimin e mëtejshem ekonomik dhe politik”, nënvizoi presidenti.
Merkel: Eurozona të mbetet e bashkuar
Kancelarja gjermane Angela Merkel është përpjekur të ulë shqetësimet mbi një “default” të mundshëm të Greqisë, duke deklaruar se blloku i eurozonës duhet të mbetet i bashkuar.
Kolapsi i Greqisë dhe dalja e saj nga zona e euros do të kishte një efekt domino, tha ajo për një radio gjermane.
Komentet e kancelares vijnë pas lajmeve se Gjermania po përgatitej për largimin e Greqisë nga eurozona.
Frika për një “default” shkaktoi një rënie të mprehtë në bursat ndërkombëtare ditën e hënë, me tregjet që mbetën të paqëndrueshme të martën.
Top Channel