Forca të Armatosura për “varrezat e makinave”

16/09/2011 08:00

Shumë shpejt do të nisë një aksion në mbarë vendin, i përqendruar në akset rrugore për zhvendosjen e pikave të grumbullimit të mjeteve të përdorura, të dala jashtë përdorimit dhe që përdoren për pjesë këmbimi, që ndryshe quhen “varrezë makinash”.

Të konsideruara nga Kryeministri si “kartolina turpi” në sy të turistëve, operacioni i fundit ka vënë në lëvizje katër ministri, atë të Financave, të Punëve Publike, të Mbrojtjes dhe Ministrinë e Mjedisit, e cila kryeson procesin.
 
Gazeta “Shqip” zbulon detajet e planit për zhvendosjen e “varrezave”, të cilat shtrihen kryesisht anash akseve nacionale, duke ndikuar negativisht në mjedis, sigurinë rrugore e deri në kriminalitet.
 
Të dhënat e Ministrisë së Mjedisit tregojnë se aktivitetin privat të tregtimit të pjesëve të këmbimit dhe shitjes për skrap të makinave të përdorura e ushtrojnë rreth 290 subjekte. Zhvendosja e këtyre pikave duhet të kryhet nga privati, por në rastet kur palët nuk bien dakord, qeveria ka menduar të përdorë mjetet e ushtrisë, të vetmet që kanë kapacitete për të transportuar tonelatat me hekurishte.

“Për kryerjen e transportit dhe të trajtimit të materialeve të konfiskuara është ngarkuar Ministria e Mbrojtjes, nëpërmjet Forcave të Armatosura, të cilat janë të vetmet forca të afta për t’u organizuar dhe kanë mjetet për të kryer me sukses këtë mision”, shprehet Ministria e Mjedisit, në relacionin që shoqëron aktin normativ të qeverisë, i cili ka hyrë në fuqi më datë 7 shtator.

Zbatimi i këtij operacioni duhet të nisë këto ditë për t’u finalizuar brenda muajit të ardhshme. Sakaq, Ministria e Mjedisit ka vendosur në gatishmëri të gjithë inspektorët, ndërsa shton që janë marrë të gjitha masat. Ajo që shikohet me shqetësim ka të bëjë me afatin 30 ditë për zhvendosjen e hekurishteve. Për biznesin ky afat nuk mjafton, por megjithatë, ata konsiderojnë problem edhe pronën e tyre, tokën që kanë blerë, investimin e kryer etj.
 
Në analizën e kryer nga Ministria e Mjedisit janë renditur një sërë shkaqesh negative të shkaktuara nga tregu i makinave të vjetra, të dala jashtë përdorimit. Sipas specialistëve, vendgrumbullimet, në përgjithësi nuk janë të pajisura me leje mjedisore dhe ndodhen në vende të paautorizuara, kryesisht në toka bujqësore, toka urbane, si dhe në zona të banuara. “Vendndodhja e tyre ka shkaktuar shumë probleme në asketin mjedisor, teknik dhe të sigurisë rrugore”, sqaron Ministria e Mjedisit.

Sipas rezultateve të studimit, një pjesë e vendgrumbullimeve duke qenë anës rrugëve dhe pa sinjalistikën e domosdoshme, kanë shërbyer si shkak për ndodhjen e aksidenteve rrugore.
“Ato nuk përmbushin asnjë kriter të trajtimit të mjeteve të transportit të dala jashtë përdorimit. Për këtë arsye, shton ministria, bëhet i vështirë trajtimi i mjeteve të braktezuara, duke shtuar këtu edhe problemin për mjetet që mund të përdoren për kryerjen e krimeve të ndryshme të çregjistrimit dhe riciklimit të tyre.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA