Serbët e veriut kanë shtrirë barrikadat e tyre edhe në urën e lumit Ibër e cila prej 11 vitesh simbolizon ndarjen e qytetit të Mitrovicës, policia konfirmon se pas mesnatës serbët kanë zbrazur katër kamionë me zhavor këtu mbi urë.
Një banor shqiptar i cili punon në kafenenë e cila ndodhet pranë urës e ka parë aksionin e serbëve të veriut dhe shpjegon se si policia nuk e ka penguar atë, por ka ikur nga vendi i ngjarjes.
Një kamerë e sigurisë së KFOR-it e cila vëzhgon situatën matanë urës së Ibrit është thyer para se të zbrazej zhavorri. Banorët shpjegojnë se për disa minuta janë ndalur dritat në zonën për rreth.
Përpjekje për bllokimin e rrugëve mbrëmjen e së mërkurës pati edhe në fshatin verior Suhodoll, por këtu nuk lejuan shqiptarët. Ata me të kuptuar për aksionin, e bllokuan rrugën të parët.
Pasojat e bllokimit të rrugëve i kanë ndjerë shqiptarët që jetojnë në veri të cilët nuk kanë mundur të shkojnë në punë dhe shkollë. Për këtë ka reaguar komuna e Mitrovicës duke kërkuar nga strukturat e sigurisë që të mundësojë lirinë e lëvizjes. Por pse nuk largohen barrikadat mbi urë?
“Një prezencë e tillë e pengesave të tilla nuk do të zgjasë shumë”, është shprehur Besim Hoti, zëdhënësi Policisë së Kosovës.
Tensionet në të dy anët e qytetit nuk mungojnë ndonëse bllokimi i rrugëve nuk ka shkaktuar incidente ndëretnike. Grupe të rinjsh shqiptarë e serbë mblidhen vazhdimisht te ura.
Ndërsa shqiptarët vëzhgojnë situatën, serbët stolisin veriun me flamuj serbë dhe pankarta të tjera me mbishkrime nacionaliste.
Në këtë situatë nuk mungojnë informacionet se serbët e veriut po përgatiten për luftë. Burime jo zyrtare të afërta me zhvillimet thonë se shtabi i krizave në veri ka emëruar gjeneralin Bozhidar Deliç në krye të operacionit.
Informacione të tilla bazohen mbi faktin se Deliç i cili njihet si bashkëpuntori Arkanit para pak ditësh me një grup kriminelësh kanë hyrë në Kosovë.
Teksa Top Channel po filmonte te ura kryesore, një shqiptar identifikoi këtë serb i cili po e vendos flamurin serb, për të cilin tha se është person i rrezikshëm dhe i cili për katër vjet nuk ka qenë në Kosovë.
Këto informacione nuk i konfirmon Policia e Kosovës. Pa përgjigje janë edhe strukturat e nivelit më të lartë politik dhe të sigurisë. Por reagimet nga Serbia sa vinë e shtohen, shoqata e lufëtëtarëve të luftës nga viti 1990 në Prokuple të Serbisë ka nisur regjistrimin e vullnetarëve për sic thuhet mbrojtjen e popullit serb të Kosovës.
Kjo shoqatë, kryetar i së cilës është Tomica Stevanoviç përmes një komunikate për media u ka bërë thirrje të gjithë atyre që dëshirojnë që të regjistrohen në këtë shoqatë, që të vijnë për regjistrim në hapësirat e shoqatës dhe që me vete të marrin edhe librezën ushtarake.
Top Channel