Këshilli i Sigurimit i OKB-së do të diskutojë të enjten për Kosovën, pas
tensionimit të situatës në veri të vendit, në prag të operacionit të
qeverisë kosovare për shtrirjen e autoritetit në gjithë territorin.
Sipas mediave të rajonit, instanca më e lartë e Organizatës së Kombeve të Bashkuara do të mblidhet me kërkesë të Serbisë dhe Rusisë, që mbështet aleatin e saj ballkanas.
Sipas burimeve, sesioni është caktuar të mbahet në orët e mbrëmjes, ndërkohë që me kërkesë të vendeve perëndimore ai do të zhvillohet me dyer të mbyllura.
Mësohet se në këtë seancë Beogradi zyrtar do të përfaqësohet nga ministri i Jashtëm serb, Vuk Jeremic, ndërkohë që përsa i përket palës kosovare nuk ka ende një informacion të saktë.
Operacioni i qeverisë kosovare për vendosjen e policëve dhe doganierëve në pikat kufitare 1 dhe 31 do të nisë zbatimin më 16 shtator.
Ai është hartuar në bashkëpunim me KFOR dhe EULEX dhe është mbështetur nga ambasadorët e vendeve perëndimore të akredituar në Prishtinë, por është kundërshtuar nga Beogradi, që pretendon se një lëvizje e tillë con në zero negociatat.
Njoftimi i planit ka bërë që që prej të mërkurës serbët e Mitrovicës të vendosin barriera në rrugët që të cojnë në veri dhe të bllokojnë urën mbi lumin Ibër.
Bllokimi i urës u raportua pak pas mesnatës. Serbët fillimisht kanë shkatërruar kamerat e sigurisë, që janë të vendosura për shkak të pikës strategjike të urës, që është shndërruar shpesh në skenë të përleshjeve ndëretnike mes serbëve dhe shqiptarëve.
Rasmussen: Të shmanget dhuna në veri
Drejtuesit e lartë ndërkombëtarë janë të shqetësuar për Kosovën, në këto ditë tepër të rëndësishme për të. Kështu sekretari i përgjithshëm i NATO-s, Anders Fogh Rasmussen do të vizitojë të enjten Kosovën, në përpjekje për të ulur tensionet në pikat kufitare në veri.
Njoftimi i qeverisë kosovare për zbatimin e planit për shtrirjen e autoritetit në veri ka bërë që në këtë zonë të Kosovës të lindin tensionet.
Në disa zona në veri të Mitrovicës, kryesisht në lagjen e boshnjakëve, ka lëvizje të banorëve serbë, të cilët kanë vendosur disa pengesa.
Plani operacional i Prishtinës zyrtare është përgatitur në bashkëpunim me KFOR-in dhe EULEX-in dhe ka marrë mbështetjen e SHBA, Britanisë dhe Francës.
Top Channel