Liderët e Francës, Gjermanisë dhe Greqisë kanë deklaruar se Greqia është pjesë “integrale” e eurozonës.

Deklarata ka ardhur pas bisedave telefonike të zhvilluara mes kryeministrit grek Jorgo Papandreu, presidentit francez Nicolas Sarkozy dhe kancelares gjermane Angela Merkel.

Greqia ka ritheksuar gjithashtu se është e vendosur të plotësojë të gjitha planet për reduktimin e borxhit, në mënyrë që të marrë pjesën tjetër të ndihmave.

Shqetësimet për një falimentim të mundshëm të Greqisë për shkak të borxhit të saj kanë ardhur në rritje.

Deklaratat e fundit synojnë të qetësojnë tregjet, që kanë parë një “turbolencë” në javët e fundit për shkak të frikës mbi financat greke.

Kjo situatë ka bërë gjithashtu që të shtohen spekulimet se Greqia mund të braktisë monedhën e përbashkët evropiane, gjë që është mohuar nga zëdhënësi i qeverisë helene, Elias Mossialos.

“Përballë zhurmave të ditëve të fundit, është theksuar nga të gjithë se Greqia është një pjesë integrale e eurozonës”, ka deklaruar zëdhënësi.

Ndërsa zonja Merkel dhe zoti Sarkozy thanë në një deklaratë të përbashkët se: “Vënia në vend e angazhimeve të parashikuara në programin e ndihmës është jetike për kthimin e ekonomisë greke në rrugën e një rritjeje të gjatë dhe të balancuar”.

Bashkimi Evropian dhe Fondi Monetar Ndërkombëtar ranë dakord në maj të vitit të kaluar që t’i japin Greqisë 110 miliardë euro ndihmë financiare, të cilën shteti helen po e merr me këste.

Kriza, Barroso propozon eurobondet

Presidenti i Komisionit Europian, Jose Manuel Barroso propozoi eurobondet për të zgjidhur krizën e Eurozonës, duke e konsideruar si sfidën më serioze të një brezi.

Propozimi i tij në Parlamentin Europian u duartrokit nga deputetët dhe vjen pak para takimit mes kancelares gjermane Angela Merkel, presidentit francez Nicolas Sarkozy dhe kryeministrit grek, Jorgo Papandreu, ku do të flitet për të gjetur zgjidhje përballë problemit të borxhit.

“Dua të konfirmoj se Komisioni së shpejti do të paraqese opsionet për paraqitjen e eurobondeve. Disa nga këto opsione mund të zbatohen brenda afateve të traktatit altual, të tjerat do të kërkojnë ndryshime të tij”, deklaroi Barroso.

Barroso nënvizoi se këto masa nuk janë të mjaftueshme për të zgjidhur krizën e borxhit të eurozonës.

“Por ne duhet të jemi të ndershem, kjo nuk do te sjellë një zgjidhje të menjëhershme për të gjithë problemet me të cilat përballemi dhe do të vijë si një element i përqasjes gjithëpërfshirëse për integrimin e mëtejshem ekonomik dhe politik”, nënvizoi presidenti.

Merkel: Eurozona të mbetet e bashkuar

Kancelarja gjermane Angela Merkel është përpjekur të ulë shqetësimet mbi një “default” të mundshëm të Greqisë, duke deklaruar se blloku i eurozonës duhet të mbetet i bashkuar.

Kolapsi i Greqisë dhe dalja e saj nga zona e euros do të kishte një efekt domino, tha ajo për një radio gjermane.

Komentet e kancelares vijnë pas lajmeve se Gjermania po përgatitej për largimin e Greqisë nga eurozona.

Frika për një “default” shkaktoi një rënie të mprehtë në bursat ndërkombëtare ditën e hënë, me tregjet që mbetën të paqëndrueshme të martën.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA