Këshilli i Sigurimit i OKB-së ka emëruar sërish Serge Brammertz si
kryeprokuror të gjykatës së Hagës për krimet e luftës në ish-Jugosllavi.
Brammertz njihet për presionin që ka ushtruar ndaj Beogradit për kapjen e kriminelëve të luftës, Ratko Mlladic dhe Goran Haxhic.
Ditën e martë ai ishte në kryeqytetin serb, ku nënvizoi se me arrestimin e tyre Serbia ka dëshmuar gatishmëri të plotë për të bashkëpunuar me gjykatën e Hagës.
“Bashkëpunimi ndërmjet Serbisë dhe gjykatës së Hagës po zhvillohet pa pengesa dhe në një nivel të lartë profesional përsa i përket dorëzimit të dokumentave, aksesit tek arkivat shtetërore dhe cështjeve të dëshmitarëve”, deklaroi Brammertz.
Ndërsa, përsa i përket cështjes së ish-kryeministrit të Kosovës, Ramush Haradinaj, kryeprokurori nënvizoi se ky proces do të jetë i drejtë.
Brammertz ritheksoi se asnjë dëshmitar lidhur me këtë cështje nuk është vrarë, pas deklaratave të palës serbe se shumë elementë janë ekzekutuar ose kërcënuar nga njerëzit e ish-kryeministrit.
Rigjykimi i Ramush Haradinaj dhe dy të akuzuarve të tjerë, Idriz Balaj dhe Lahi Brahimaj nisi më 18 gusht.
Ndërkohë, më 6 shtator gjykata dënoi me 27 vjet burg ish-shefin e shtabit të përgjithshëm të ushtrisë jugosllave, Momcillo Perissic, për krime lufte në Sarajevë, Srebrenicë dhe Zagreb.
Top Channel