Brukseli ka paralajmëruar Bosnje e Hercegovinën se mund të humbasë
fondet prej 96 milionë eurosh të BE-së për shkak të krizës politike.
Andy McGuffie, zëdhënës i misionit të BE-së në Sarajevë, ka deklaruar se tensionet rrezikojnë ndihmën e parashikuar për qeveritë rajonale, që ka si synim mbështetjen për harmonizimin e legjislacionit të tyre me ato të vendeve të BE-së.
Tensionet e vazhdueshme mes dy republikave të Bosnjes, ajo Myslimano-Kroate dhe Republika Serbe, kanë bërë që të zvarriten reformat jetike për integrimin si dhe formimin e qeverisë qendrore, kur kanë kaluar 11 muaj nga zhvillimi i zgjedhjeve.
Ajo cka rëndon edhe më tej pozitën e Bosnje e Hercegovinës është prirja e liderit serb Milorad Dodik për shkëputjen e Republikës Serbe.
Pavarësisht presioneve të shumta të faktorit ndërkombëtar, i cili druhet se një gjë e tillë do të kishte një efekt domino, Dodik duket se nuk ka ndërmend të tërhiqet nga deklaratat e tij nacionaliste.
Ky qëndrim i palëkundur i tij ka bërë që Bosnja të mos dalë me një qëndrim lidhur me pavarësinë e Kosovës, e cila gjithashtu nuk është njohur edhe nga pesë vende të BE-së.
Top Channel