Anoreksia, drama e modelingut

15/09/2011 19:10

Thonë që bukuria vret. Ndodh edhe kështu. Mania për të shkuar drejt perfeksionit fizik, u ka marrë jetën shumë modeleve në karrierë.

Ende kemi në vëmendje francezen Izabelle Caro, e cila ishte vetëm 28 vjeç kur humbi jetën nga sëmundja e anoreksisë. Ajo ishte një kujtesë për të bërë jehonë se anoreksia është shndërruar një dramë për modelingun sot. Në vitin 2006, ishte braziliania Carolina Reston që vdiq nga kjo sëmundje në moshën 21-vjeçare.

Të njëjtin fat kanë pasur edhe motrat modele nga Uruguaji, Luisel Ramos, 22 vjeç dhe Eliana Ramos, 18 vjeç. Janë me dhjetra modele sot që vuajnë nga anoreksia, e që kërcënohen seriozisht me jetë edhe pse shumica e tyre nuk e pranojnë faktin.

E pabesueshme, por një prej tyre është edhe bukuroshja e Victoria’s Secret, modelja Candice Swanepoel.

Është dëshira për të perfeksionuar linjat, apo presioni që ushtron jeta mbi pasarela, e cila i bën shumë vajza të vetësakrifikohen deri në vdekje për suksesin e tyre?

Një gjë është e sigurt, të jesh mbi pasarelë ndonjëherë kërkoka edhe çmimin e jetës. E për fat të keq, ato që gjenerojnë modë e janë model për shumë vajza, padashur bëhen një shembull i rrezikshëm për t’u ndjekur.

Kohët e fundit po dëgjojmë shumë shpesh të flitet për vdekje të adoleshentëve si pasojë e fiksimit për të pasur një trup perfekt, të ngjashëm me atë të modeleve. Ato i nënshtrohen dietave drastike, deri në mohim të ushqimit, duke e çuar pavullnetshëm veten drejt anoreksisë.

Cfarë është anoreksia, ajo sëmundje që kërcënon seriozisht jetën e që padashur vishet me velin e së bukurës, modës?

Sipas psikiatërve, anoreksia nervoze, apo mentale, është një çrregullim serioz. Viktimat e saj mund të torturojnë veten nga të pangrënët, deri në vdekje, të fiksuar nga mendimi se duhet të jenë elegantë perfektë. Ato e arrijnë këtë, por duke sëmurur keq veten.

Disa nga simptomat e anoreksisë janë: ndërprerja e menstruacioneve, ulje e aktivitetit kardiak, të vjella, rënie flokësh, rrathë të zinj nën sy, prishje e dhëmbëve. Dhe këto shfaqje mund të arrijnë deri në një fund fatal nëse nuk ndërhyhet në kohë.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA