Top Show nisi sezonin e ri. Analistë, gazetarë, përfaqësues të medias e të drejtësisë, diskutuan për ngjarjen e së premtes së 9 shtatorit që tronditi jo vetëm qytetin e Vlorës, por mbarë Shqipërinë; vrasjen e tipit mafioz të gjyqtarit të Shkallës së Parë në Gjykatën e Vlorës, Skerdilajd Konomi.
I ftuar në studio, gazetari Arjan Konomi, i afërm i të ndjerit, Skerdilajd Konomi, i qendroi deklaratës së tij pak ditë më parë kur i mëshoi më tepër pistës së vrasjes për shkak të pronave.
“Mund të ishtë bërë më para atentati, pa u marrë prona në Gjykatën e Lartë. Por atentatorët nuk kanë besuar se Skerdilajdi do të merrte atë pronë. Kjo ka qenë më tepër një formë hakmarrje për të trembur drejtësinë dhe qytetarët”, tha Konomi.
Ndërkohë, gazetari i gazetës MAPO, Habjon Hasani, që ka ndjekur cështjen që nga nisja e saj, tha se hetimi vazhdon në të dyja pistat, si ajo për shkak të detyrës ashtu edhe tek pista e dytë, për shkak të pronave. Hasani tha se hetuesit janë përqendruar më shumë në pistën e dytë, atë të vrasjes për shkak të detyrës.
“Asnjë nga dy kollonat nuk është përjashtuar, për shkak të detyrës dhe për shkak të pronësisë. Në kollonën e dytë janë 3 vatra, një në Vlorë dhe dy në Gjirin e Lalzit. Për Gjirin e Lalzit një vendim nga Gjykata e Lartë që i dha Skerdilajtit sasi të madhe toke dhe e dyta bëhet fjalë për një padi penale në prokurori për falsifikim dokumentesh ndaj palës kundërshtare në Gjykatën e Lartë”, tha Hasani.
Ndërkohë, gjyqtarja Manjola Bejleri, njëkohësisht edhe kryetare e Unionit të Gjyqtarëve dhe sa vrasja është komplekse dhe grupi hetimor i saj ndodhet nën presion për shkak të impaktit që shkaktoi mënyra e ekzekutimit. Ajo tha se nuk duhet përjashtuar asnjë pistë për vrasjen.
“Politika e pushteti po na rrëmbejnë pronat”
I ftuar në studion e Top Show, Agim Toro, nga shoqata “Pronësi me Drejtësi”, gjatë fjalës së tij, lidhur me pronat, marrë shkas nga ekzekutimi i gjyqtarit Skerdilajd Konomi, tha se njerëz të veshur me pushtet e politikë po u rrëmbejnë pronat pronarëve të vërtetë.
“Persona të veshur me pushtet e politikë po rrëmbejnë pronat e pronarëve të rrëmbyera nga një regjim pa të drejtë dhe pa asnjë shpërblim”, tha zoti Toro.
Më tej ai tha se cështja e pronave është një plagë e madhe që pengon zhvillimin e vendit. Toro kritikoi mënyrën se si është manaxhuar dhe se si është dashur të zgjidhet kjo cështje që nga vitet ’90.
“Mbi 8100 persona kanë humbur jetën nga viti 1990 e deri më sot për shkaqe të pronësisë, një mesatare, 1 person në ditë”, denoncoi Toro.
Top Channel