Kryeministri i Kosovës Hashim Thaçi ka paralajmëruar se të premten do të
nisin veprimet e Qeverisë së Kosovës të koordinuara me faktorin
ndërkombëtar për vënien e kontrollit të plotë në pikat kufitare 1 dhe
31, ndërsa ka thënë se këto veprime nuk do të mund të pengohen në asnjë
rrethanë dhe për asnjë çmim nga strukturat kriminale, të organizuara nga
Beogradi zyrtar.
Këto komente, Thaçi i bëri të mërkurën gjatë një konference për media.
Ai ka thënë se Qeveria e Kosovës në bashkëpunim me Zyrën Civile Ndërkombëtare ka përpiluar një udhërrëfyes të qartë për normalizimin e jetës dhe vendosjen e rendit dhe ligjit në këtë pjesë, udhërrëfyes ky që përmban një mori veprimesh të cilat do të realizohen nga institucionet legjitime të Kosovës në bashkëpunim me komunitetin ndërkombëtar dhe i cili është i tërë në shërbim të përmirësimit të jetës dhe ofrimit të shërbimeve më cilësore për qytetarët që jetojnë në veri të vendit.
Lëvizje dhe barrikada në disa zona
Situata në veri të Kosovës, në prag të operacionit të qeverisë së Prishtinës në bashkëpunim me KFOR dhe EULEX, për të shtrirë ligjin edhe në këtë zonë, është tensionuar.
Sipas informacioneve të fundit, në lagjen e boshnjakëve ka lëvizje të banorëve që largohen nga zonat veriore për në zona të tjera.
Ndërkohë, ashtu sic ishte paralajmëruar, në disa pika, konkretisht tek shkolla teknike në lagjen e boshnjakëve dhe tek varrezat e shqiptarëve në veri të Mitrovicës, janë vendosur dy barrikada.
Grupi i Top Channel udhëtoi me makinë për të depërtuar në veri, por në një postobllok i trupave të KFOR-it i sugjeroi që të kthehej mbrapsht për shkak se situata nuk është e sigurtë.
Ndërkohë, zëdhënësi i policisë së rajonit të Mitrovicës, Besim Hoti ka deklaruar për Top Channel se këto ditë Policia e Kosovës do të marrë nën kontroll cdo hyrje-dalje të vendit.
Situata nuk duket aq e tensionuar sa ajo e pas 25 korrikut, por shqetësuese duket lëvizja e banorëve serbë nga veriu në zona të tjera, ndoshta për të organizuar dicka.
Plani i qeverisë kosovare është përgatitur të zbatohet më 16 shtator, pas këshillimit me EULEX dhe kreun e ri të KFOR-it, Erhard Drews.
Franca mbështet planin e 16 shtatorit
Edhe Franca ka shprehur mbështetjen e saj për planin e qeverisë së Kosovës për të vendosur rendin dhe ligjin në tërë territorin.
Qëndrimi i Parisit zyrtar është paraqitur nga ambasadori francez në Prishtinë, Francois Fitou, në një takim të zhvilluar sot me ministrin e Drejtësisë, Hajredin Kuci.
“Shpreh mbështetjen e plotë të shtetit francez për vendosjen e rendit dhe ligjit, si dhe për shtrirjen e sovranitetit të Prishtinës në tërë territorin e Kosovës”, ka deklaruar Fitou.
Ambasadori gjithashtu ka mbështetur kthimin e policisë dhe doganierëve kosovarë në pikat kufitare 1 dhe 31 në veri të Kosovës, në bashkëpunim me KFOR-in dhe EULEX-in.
Iniciativa në fjalë u përkrah pak ditë më parë edhe nga ambasadori amerikan në Prishtinë, Christopher Dell, i cili deklaroi se është e drejtë legjitime e shtetit të Kosovës që të shtrijë autoritetin e tij.
Plani i qeverisë kosovare është përgatitur të zbatohet më 16 shtator, pas këshillimit me EULEX dhe kreun e ri të KFOR-it, Erhard Drews.
Ndërkohë, në prag të operacionit, në veri kanë filluar të ndihen tensionet, banorët serbë janë vënë në lëvizje dhe në disa zona të caktuara janë vendosur barrikada.
Trupat paqeruajtëse të KFOR-it u kanë sugjeruar grupeve të xhirimit që të mos hyjnë thellë për shkak se situata nuk është shumë e sigurtë.
Top Channel