Finalizimi i marrëveshjes për të rivënë në funksionim dy pikat kufitare
në veri të Mitrovicës, duket se ka acaruar edhe më tepër serbët e
Kosovës.
Dhjetëra prej tyre sic raporton agjencia e lajmeve Kosovapress janë parë te drejtohen nga pika te ndryshme drejt postave kufitare gjatë natës së kaluar. Nëpër disa vende serbët kanë vendosur rërë për të penguar, kalimin e doganierëve dhe policëve të Kosovës në drejtim të pikave kufitare Jarinje dhe Bërnjak.
“Të martën rreth mesnate serbët në Zveqan kanë ndaluar kolonën e përbërë prej rreth 20 automjete të KFOR-it të cilat ishin duke shkuar në drejtim të Jarinjes, dhe pas dy ore negociata, ushtarët e KFOR-it janë detyruar të kthehen mbrapsht” bejne te ditur burime te kosovapress. Mbledhja e serbeve erdhi pas reagimeve te te ashtuquajturit kryeshef te Qarkut të Mitrovicës, Radenko Nedelkoviq. Ai ka kërkuar nga KFOR-i zhbllokimin e pikës në fshatin Izvor afër Banjskës dhe të rrugëve tjera alternative. Perndryshe kercenoi me bllokadë të të gjitha rrugëve në veri.
Planit për fillimin e rifunksionalizimit të pikave doganore parashikohet të zbatohet nga data 16 shtator, në bazë edhe të marrëveshjes Prishtinë – Beograd për njohjen e vulave të doganave.
Qeveria ka paralajmëruar tashmë që në koordinim me faktorin e pranishëm ndërkombëtar në Kosovë të nis zbatimin e planit operacional për ri-funksionalizimin gradual të portave doganore 1 dhe 31 në veri.Por, ajo që mbetet si sfidë është kundërpërgjigja e serbëve lokalë në veri dhe implikimeve të Beogradit në atë pjesë.
Ljajic: Rrezik me 16 shtator
Ministri i Punës dhe Politikave Sociale në Serbi, Rasim Ljajic deklaron se Serbia “nuk ka asnjë hapësirë manovruese për reagim, nëse pushteti në Prishtinë më 16 shtator dërgon policët dhe doganierët në Bërnjak dhe Jarinje”.
“Vetem me mjete diplomatike mund t’u themi zyrtarëve ndërkombëtarë për rrezikun e këtij akti. Duhet të reagojmë me preventivën që kjo të mos ndodhë, ndërsa kam frikë se hapësira jonë për manovrim është kurrfarë që kjo të ndodhë”, ka thënë Ljajic ben te ditur Telegraf.
Ai ka thënë se vendimi për doganat në veri nuk merret në Prishtinë dhe se Prishtina nuk do të dërgojë policët dhe doganierët e saj në kufi “pa pajtimin e zyrtarëve të rëndësishëm ndërkombëtarë”.
Vulat, më 16 shtator implementimi i paktit
Qeveria e Kosovës ka vendosur që më 16 shtator të nisë implementimi i marrëveshjes me Serbinë për vulat doganore.
Kryeministri Hashim Thaci, gjatë mbledhjes së kabinetit të tij deklaroi se, me këtë marrëveshje Serbia de jure ka njohur pavarësinë e Kosovës.
“Nga 16 shtatori do të fillojë të zbatohet marrëveshja dhe të gjithë do t’i nënshtrohen rregullave të reja që do të aplikohen”, ka deklaruar Thaci.
Marrëveshja për vulat doganore mes Serbisë dhe Kosovës u arrit në raundin e bisedimeve të dy shtatorit, nën ndërmjetësimin e BE-së.
Për t’u siguruar për arritjen e një marrëveshjeje, i dërguari i Catherine Ashton, Robert Cooper zhvilloi para kësaj date vizita në Beograd dhe Prishtinë.
Top Channel