LDK ka adresuar sot një seri kritikash ndaj qeverisë kosovare, e cila
sipas saj po dëmton imazhin e Kosovës dhe procesin e njohjeve me
papërgjegjshmërinë e saj.

“Qeveria e Kosovës, me konfuzionin total që ka krijuar në fushën e politikës së jashtme, me përplasje kompetencash dhe interesash brenda vetë asaj, po e dëmton seriozisht imazhin e Kosovës dhe procesin jetik të njohjeve”, thuhet në një deklaratë për shtyp.

Sipas LDK, procesi i njohjeve po trajtohet si një cështje private dhe në terma private, gjë që e ka kthyer atë në një garë të pakuptimtë, ku secili kërkon të marrë merita që nuk i takojnë.

“Vetëm gjatë javës së fundit, për shkak të përplasjeve të brendshme, qeveria nuk ka arritur të sqaroje se kush e ka njohur Kosovën dhe kush jo”, thuhet më tej në deklaratë.

Kosova, nga sa kanë raportuar në ditët e fundit mediat lokale, është njohur nga shtetet afrikane të Gibonit, Arika Qendrore, Guinea Konakri, Benini dhe Nigeri.

Ndërkohë, misteri mbetet mbi Nigerinë, për të cilën u tha se e njohu pavarësinë, por më vonë u përgënjeshtrua.

Mësohet se në Nigeri, autoritetet e larta të shtetit po përplasen për cështjen e Kosovës, pasi dikush do që ta njohë dhe dikush jo.

Burime brenda MPJ-së bëjnë të ditur se presidenti Goodluck Johnathan ka dhënë pëlqimin e tij për njohjen dhe ka dërguar rekomandimin në Parlament, por ministri i Jashtëm e ka shpërfillur atë.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA