Guantanamo, burg përjetë terroristit

10/09/2011 12:00

Është konfirmuar nga një komision gjykues ushtarak i Guantanamos dënimi
me burgim të përjetshëm dhënë një eksponenti të Al Kaedës.

Bëhet fjalë për jemenasin Ali Hamza Ahmad, i cili akuzohet se është një rekrutues dhe ekspert i propagandës së rrjetit terrorist.

Lajmin e bëjnë të ditur mediat amerikane, ndërkohë që është konfirmuar edhe nga vetë Pentagoni përmes një njoftimi për shtyp.

Terroristi 40-vjecar është ndër të burgosurit e parë të transferuar në burgun amerikan të Kubës dhe një nga të paktët që është gjykuar e dënuar.

Ndërkohë, autoritetet amerikane vijojnë të japin alarmin për rrezikun që i kanoset Perëndimit nga Al Kaeda, kur jemi një ditë para 10-vjetorit të 11 shtatorit.

Hetuesit amerikanë deklarojnë se pavarësisht vrasjes së Osama bin Laden, Al Kaeda në Pakistan është tërësisht operative dhe gati të sulmojë.

Vetë sekretarja e Shtetit, Hillary Clinton deklaroi dje se kërcënimet për sulme terroriste në ditën e 10-vjetorit të atentateve që ndryshuan botën mbajnë firmën e Al Kaedës.

Top Channel