Lideri i BDI-së, Ali Ahmeti ka deklaruar se në një të ardhme të afërt
Maqedonia mund të ketë një kryeministër ose një president shqiptar.
“Është shumë normale që pas disa viteve të bisedohet për një kryeministër ose një president. Mendoj se është e rëndësishme që të dërgohet një mesazh, vecanërisht tek qytetarët maqedonas, se ky shtet është edhe i shqiptarëve”, ka pohuar Ahmeti për mediat maqedonase.
“Maqedoninë duhet ta ndërtojmë të gjithë së bashku, duhet ta ndejmë si tonën dhe ta respektojmë, sepse qëllimi ynë i përbashkët është që në këtë shtet të jetojmë së bashku”, është shprehur ai.
Në këtë mënyrë, sipas Ahmetit, përkatësia etnike e personit që do të mund të drejtojë një nga këto poste nuk do të jetë e rëndësishme.
Më tej, kreu i BDI-së ka përmendur rastin e Ministrisë së Mbrojtjes, të cilën pas zgjedhjeve të parakohshme e drejton një staf shqiptar nga radhët e partisë së tij.
“Ndoshta para disa vitesh nuk mund të mendohej që një shqiptar të ishte ministër i Mbrojtjes. Por ja që edhe kjo ndodhi. Nuk dua të parashikoj se cfarë do të ndodhë pas 4-5 viteve, por gjithcka do të varet nga zhvillimet e proceseve politike në vend dhe dialogut mes partnerëve politikë”, ka shtuar Ahmeti.
Top Channel