
Presidenti amerikan, Barak Obama iu drejtua me një fjalim Kongresit ku shpalosi planin e administratës së tij për të luftuar papunësinë në vend.
Obama ftoi ligjvënësit amerikanë, t’i japin fund rrethit vicioz politik dhe të ndihmojnë ekonominë që të rimarrë veten, duke aprovuar një paketë prej 447 miliard dollarë, që do të injektohen kryesisht në sektorin e punësimit.
“Njerëzit e këtij vendi punojnë fort dhe mbajnë përgjegjësitë e tyre. Pyetja që ngrihet sonte është: Kur do të përballemi ne me përgjegjësitë tona?”, tha presidenti Obama.
Shefi i Shtëpisë së Bardhë kërkoi një kalim sa më të shpejtë të paketës së propozuar prej tij, e quajtur “American Jobs Act”.
Presidenti e kishte hartuar fjalimin për të intensifikuar presionin ndaj republikanëve se si të trajtohet niveli i lartë 9.1 përqind i papunësisë dhe si të rregullohet gjendja financiare e vendit.Në përgjigje të thirrjes së demokratëve për të paraqitur propozimet më agresive të mundëshme, zoti Obama paraqiti një paketë prej 450 miliardë dollarësh, duke përfshirë shkurtime taksash për punonjësit dhe punëdhënësit, si dhe nisma për bizneset që të hapin vende pune.
Plani i tij i shpenzimeve, të cilin ai e quajti Akti i Punëve për Amerikanët do të shqyrtohet dhe do të votohet fillimisht nga Dhoma e Përfaqësuesve, ku republikanët kanë shumicën. Presidenti Obama tha se Akti do të shërbejë si nxitje për ekonominë e ngecur amerikane.
Top Channel