Clinton: Al Kaeda pas kërcënimeve

09/09/2011 21:50

Sekretarja amerikane e Shtetit, Hillary Clinton ka konfirmuar se është Al Kaeda prapa kërcënimeve të reja për sulme terroriste në Shtetet e Bashkuara.

Sipas Departamentit të Sigurisë së Brendshme dhe agjencive amerikane të inteligjencës, Al Kaeda në Pakistan vazhdon të jetë tërësisht operative.

Sipas këtyre institucioneve, organizata vijon aktivitetin e saj pavarësisht dobësimit që ka pësuar me vrasjen e liderit Osama bin Laden.

Ndërkohë, Departamenti i Sigurisë Publike ka kërkuar intensifikimin e aktiviteteve që kanë të bëjnë me mbikëqyrjen dhe kontrollin e objektivave të ndjeshëm.

Urdhëri u është dërguar të gjitha prefekturave dhe zyrave të policisë, në prag të 10-vjetorit të atentateve të 11 shtatorit.

Më herët, vetë presidenti i Shteteve të Bashkuara, Barack Obama kërkoi “dyfishimin e sforcove” për t’i ballë një kërcënimi të mundshëm atentatesh.

Ndërsa sipas FBI-së, Al Kaeda gjithmonë ka treguar interes të vecantë për datat e rëndësishme dhe për përvjetorët.

Ky është përvjetori i parë që do të përkujtohet pas vrasjes së Osama bin Laden, i konsideruar si arkitekti i sulmeve ndaj kullave binjake.

Top Channel