
Një shtetas amerikan me origjinë shqiptare akuzohet nga prokurorët në Nju Jork për terrorizëm si dhe për ndihmë financiare për xhihadistët në Pakistan, në kohen kur Shtetet e Bashkuara po përgatiten të përkujtojnë, 10 vjetorin e sulmeve të 11 Shtatorit.
Duke iu referuar aktpadisë, 27 vjecari Hasbajrami, banues në Bruklin të Nju Jorkut, i kishte dërguar 1000 dollarë një individi, që përfaqësonte një organizatë xhihadiste në Pakistan, madje në disa komunikime që ata kishin patur, i kish folur edhe mbi planin për të udhëtuar drejt Pakistanit e për t’iu bashkuar këtij grupi duke përdorur shprehjen: “të martohem me vajzat në parajse”, ç’ka nënkupton martirizimin. Këtë e përforcon dhe një shënim, i zbuluar në shtëpinë e tij ku lexohej; “Mos prisni pushtimin, është koha e martirizimit”.
Prokurorja e Nju Jorkut, Loreta Linc tha se “vigjilenca e zbatimit të ligjit rezultoi me kapjen e një tjetër terroristi aspirant me synimin për të udhëtuar jashtë vendit, për xhihadin e dhunshëm. Ne nuk do të kursejmë asnjë përpjekje, për të kapur terroristët, përpara se ata të godasin- tha ajo.
Akuzat e ngritura ndaj Hasbajramit, sic raportojnë mediat amerikane, duket se nuk kanë lidhje me paralajmerimin e Departamentit të Drejtësisë, për kërcënime terroriste në Nju Jork dhe Uashington, në prag të përvjetorit të sulmeve të 11 Shtatorit.
Sipas prokurorëve, Hasbajrami i cili kishte mbërritur në Shtetet e Bashkuara në Shkurt të vitit 2008, u arrestua në aerportin JFK të Nju Jorkut të martën, më 6 shtator, pasi kishte blerë një biletë vajtjeje në Turqi, me shpresën për të udhëtuar, më pas, drejt Pakistanit. Në muajin gusht kishte bërë të njëjtën gjë, duke blerë një biletë për në Turqi, por e kishte anuluar udhëtimin.
Nëse Agron Hasbajrami do të shpallet fajetor do të dënohet me 15 vjet burg.
Top Channel