Ish-shefi i Shtabit të Ushtrisë, Luan Hoxha përmes një letre drejtuar sot disa mediave, deklaron se nuk e ka përmendur emrin e djalit të kryeministrit, Shkëlzen Berisha, ashtu siç shkruhet në një prej kabllogrameve të Ambasadës Amerikane në Tiranë, të firmosura nga ish-ambasadori Xhon Withers.

Ai zgjodhi disa media për të deklaruar qendrimin e tij pas Wikileaks, por jo të gjitha ato që publikuan kabllogramin ku flitej për takimin mes tij dhe diplomatit amerikan.

Duke iu kthyer këtij dokumenti diplomatik, mes të tjerave shkruhet:

“Ai padit se gjatë gjysmës së dytë të projektit, që fillon në dhjetor të 2007, u urdhërua nga Mediu, përtej shqetësimeve të tij të përmendura, për t’i shkruar kryeministrit Berisha, Topallit dhe Mediut, si dhe pas presionit të drejtpërdrejtë me telefon nga një djalë i ri, që ai më vonë e konfirmoi si Shkëlzen Berisha, djali i kryeministrit, për të vazhduar shpërndarjen e municioneve të kalibrit të lartë në Gërdec dhe që ta bënte këtë pa asnjë vonesë. I pyetur nëse ai ia ka raportuar këtë shqetësim Prokurorisë së Përgjithshme, Hoxha përgjigjet: “Po”, se ai i ka dhënë të gjithë informacionin dhe dokumentet, hetuesve të Prokurorisë së Përgjithshme, por jo atë që lidhet me djalin e Berishës. Për këtë, ai tha se nuk kishte siguri për të folur”.

Ambasadori, shkruan kabllograma, tha se që hetimi të jetë i suksesshëm ata që dinë të vërtetën duhet të flasin. Hoxha pranoi që në interes të drejtësisë ai duhet të flasë, por nuk konfirmoi se ai do ta bënte këtë. Kabllogrami ka një shënim, ku nënvizohet pohimi i Hoxhës, që këtë informacion, atë për djalin e kryeministrit e kishin dhe shumë të tjerë.

“Ky është incidenti i dytë i një zyrtari që shpreh shqetësimin e drejtëpërdrejtë, në kufijtë e frikës, për sigurinë personale dhe profesionale, në konfidencë të plotë me ambasadorin. (I pari erdhi nga nënkryetari i Këshillit të Lartë të Drejtësisë, Kreshnik Spahiu). Disa fakte të jashtme mbështesin versionin e fakteve të Hoxhës. Si shefi i Shtabit, marrëdhëniet e Hoxhës me ish-ministrin Mediu janë të tendosuara dhe në marrëdhëniet tona me të, ai dukej shpesh jashtë sferës së tij, duke i munguar autoriteti i mjaftueshëm për të kryer detyrat e postit. Sipas informacionit publik, Prokuroria e Përgjithshme duket se do ta fokusojë hetimin larg ushtrisë dhe tek Mediu, mundësisht sepse aty të çojnë faktet deri tani. Nëse versioni i Hoxhës përmban elemente të së vertetës, kjo do të ndihmojë të shpjegojë një pyetje të rëndësishme të ditës; Pse kryeministri ka ndërmarrë sulme të vazhdueshme ndaj institucioneve të pavarura, pikërisht në këtë kohë, duke alarmuar, bashkësinë ndërkombëtare, duke e bërë atë të ngrejë pyetje për kredencialet demokratike të Shqipërisë, kur ende është shumë në pikëpyetje, sa i takon ratifikimit të NATO-s”.

Ish-shefi i Shtabit të Ushtrisë, Luan Hoxha është i pandehur në proçesin për Gërdecin, që po zhvillohet në gjykatën e shkallës së parë Tiranë.

Top Channel