Somali, lirohet familja daneze

07/09/2011 18:00

Një familje daneze e marë peng nga piratët somalezë është liruar sot bashkë me dy anëtarët e ekuipazhit të anijes së saj.

Jan Quist Johansen, bashkëshortja e tij, tre fëmijët dhe dy anëtarët e ekuipazhit ishin marrë peng më 24 shkurt.

Ministria e Jashtme daneze tha sot se ata janë në gjendje të mirë shëndetësore dhe pritet që të kthehen së shpejti në Danimarkë.

“Ministria e Jashtme konfirmon se marinarët danezë të mbajtur peng nga piratët somalezë që prej 24 shkurtit janë liruar”, thuhet në një deklaratë të dikasterit të diplomacisë.

Ndërkohë, korrespondenti i BBC në Afrikën lindore bën të ditur se një shpërblim prej 3 milionë dollarësh është paguar për lirimin e tyre.

Familja Johansen dhe dy anëtarët e ekuipazhit të anijes së tyre u rrëmbyen në Oqeanin Indian teksa po lundronin rreth e qark botës, edhe pse ishin të vetëdijshëm për rrezikun nga pirateria.

Në mars, disa ushtarë nga rajoni gjysmëautonom i Puntlandit mbetën të vrarë gjatë një tentative për t’i shpëtuar ata.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA