Kryeministri turk Recep Tayyip Erdogan ka deklaruar se vendi i tij do të vendosë sanksione të mëtejshme ndaj Izraelit.
Kërcënimi vjen pas dëbimit të ambasadorit të Izraelit nga Ankaraja, pas refuzimit për të kërkuar ndjesë për sulmin ndaj anijes me ndihma në vitin 2010, ku mbetën të vrarë 9 shtetas turq.
Një raport i OKB-së deklaronte se Izraeli kishte përdorur “forcë të tepruar” në sulmin e tij, por vlerësonte se bllokada detare për në Gaza ishte legjitime.
Turqia ka bërë gjithashtu të ditur se do ta cojë cështjen në Gjykatën Ndërkombëtare të Drejtësisë.
Zoti Erdogan tha gjithashtu se Turqia do t’i ndërpresë të gjitha marrëdhëniet ushtarake me Izraelin, pas degradimit të marrëdhënieve diplomatike.
“Lidhjet tregtare, lidhjet ushtarake dhe ato industriale do të ndërpriten plotësisht. Ky proces do të ndiqet nga masa të tjera”, tha kryeministri turk për gazetarët në Ankara.
Turqia përjashtoi ambasadorin izraelit më 2 shtator dhe ndërpreu bashkëpunimin ushtarak me Izraelin javën e kaluar.
Zoti Erdogan e cilësoi sulmin e komandove izraelitë si një “egërsi” dhe akuzoi Izraelin se kishte vepruar si “një fëmijë i llastuar” në rajon.
E vendosur në Hagë, Gjykata Ndërkombëtare e Drejtësisë është një instancë e OKB-së që vendos mbi përplasjet mes shteteve.
Top Channel