Ushtria pakistaneze deklaron se ka arrestuar një person që dyshohet se është një lider i vjetër i Al Kaedës dhe dy bashkëpunëtorë të tij.
Në një deklaratë për shtyp, ushtria pakistaneze njofton se Younis al Mauritani ka planifikuar dhe realizuar operacione ndërkombëtare për rrjetin terrorist global.
Bashkëpunimi mes Shteteve të Bashkuara dhe shërbimeve sekrete pakistaneze coi në arrestimin e personit në fjalë, thuhet në deklaratë.
Sipas dokumentit, terroristi është arrestuar në periferi të qytetit të Kuetës, në jug-perëndim të Pakistanit, ndërsa për bashkëpunëtorët e tij nuk jepet informacion.
“Mauritani ishte caktuar personalisht nga Osama bin Laden për t’u fokusuar në goditjen e objektivave të rëndësishëm ekonomikë në Shtetet e Bashkuara, Evropë dhe Australi”, theksohet në dokument.
Dy personat e tjerë të arrestuar janë identifikuar me emrat Abdul Ghaffar al Shami dhe Messara al Shami.
“Ky operacion është planifikuar dhe kryer me asistencën teknike të agjencive amerikane të inteligjencës, me të cilat kemi një bashkëpunim të fortë dhe historik”, thuhet në deklaratë.
Mauritani nuk figuron në listën e terroristëve më të kërkuar të FBI-së, por një oficer i inteligjencës perëndimore ka deklaruar për “AFP” se arrestimi është shumë i rëndësishëm.
Top Channel