Zëvendëskryeministrja e vendit, kryenegociatorja Edita Tahiri, duke i
vlerësuar shumë të rëndësishme marrëveshjet e arritura me Serbinë për
njohjen e vulave doganore dhe kthimin e dokumenteve kadastrale, ka
deklaruar se shteti serb me këtë akt e ka pranuar pavarësinë e Kosovës
në fushën e doganave.

Tahiri, bën të ditur Telegraf, theksoi se me arritjen e këtyre marrëveshjeve, institucionet e Kosovës jo vetëm që kanë respektuar Kushtetutën, por edhe e kanë avancuar dhe fuqizuar interesin shtetëror dhe qytetar, duke shtuar se “gardianë” të respektimit të këtyre marrëveshjeve do të jetë Bashkimi Evropian dhe SHBA-ja.

“Marrëveshja për njohjen e vulave doganore ka një rëndësi shumë të madhe si në planin politik, ekonomik dhe në planin e bashkëpunimit rajonal. Me këtë marrëveshje praktikisht ka ndodhur njohja reciproke në mes të Republikës së Kosovës dhe asaj të Serbisë në fushën e doganave”, thotë Tahiri.

Ajo ka pranuar se marrëveshja për doganat është arritur në një atmosferë të tensionuar dhe kundërshtuese, për faktin se Serbia dhe kryenogicatori i saj, Borislav Stefanovic kanë ndërhyrë në mënyrë destruktive në Kosovë, në kohën kur Qeveria e Kosovës pati vendosur për masat e reciprocitetit.

Tahiri ka mohuar kategorikisht se Stefanovic ta ketë hapur temën për çështjen e veriut të Kosovës.

Në Bruksel javën e shkuar ka përfunduar raundi i radhës i dialogut Kosovë – Serbi. Bisedimet e së premtes, ndonëse në një atmosferë të tensionuar, kanë arritur të përfundojnë me dy marrëveshje, një për vulat doganore dhe për regjistrin kadastral. Sipas palëve pjesëmarrëse, zbatimi i marrëveshjes për vulat pritet të ndodhë shumë shpejt.

Kreu i delegacionit serb në bisedime, Borislav Stefanovic, tha se me njohjen e vulave, pritet që Kosova “brenda 7-10 ditësh të heqë embargon ndaj mallrave të Serbisë” dhe të lirojë mundësinë e qarkullimit të lirë të mallrave nga Serbia në, siç tha ai, “pjesën tjetër të territorit të Serbisë”.

Kryenegociatorja kosovare, Edita Tahiri, duke konfirmuar arritjen e marrëveshjes, tha se kjo e fundit do të thotë “heqje e embargos shumëvjeçare që Serbia u ka bërë mallrave të Kosovës”, në kundërshtim me, siç u shpreh, parimet e tregtisë së lirë në rajonin e CEFTA-s.

Tahiri: Reagimet e “Vëtevendosjes” të paarsyeshme

Kryenegociatorja ka reaguar edhe ndaj veprimeve të Lëvizjes Vetëvendosje për marrëveshjet e arritura në Bruksel në mes Kosovës dhe Serbisë. Ajo ka thënë se kjo lëvizje është e verbuar për pushtet dhe se ky subjekt politik ka nevojë të shkojë në ndonjë shkollë të demokracisë.

Aksioni i Lëvizjes Vetëvendosje kundër zëvendëskryeministres Edita Tahiri dhe procesit të dialogut Prishtinë-Beograd ka ngjallur reagimin e ekzekutivit kosovar e po kështu edhe të vetë Lëvizjes Vetëvendosje.

Qeveria e dënoi këtë aksion dhe i quajti huliganë aktivistët e Vetëvendosjes të cilët sipas qeverisë bëjnë veprime të tilla për përfitime politike. Nga ana tjetër, deputetet e Kuvendit të Kosovës nga radhët e Vetëvendosjes, të cilat ishin pjesë të aksionit me domate, shprehen mllefin e tyre ndaj ndërhyrjes brutale të policisë, sic thanë ata.

Vetëvendosje vazhdon edhe më tutje ta konsiderojë të dëshmshëm procesin e dialogut Prishtinë-Beograd. Në konferencë, anëtarë të këtij subjekti politik, u shprehen se qeveria e Kosovës është në pozicion shumë të dobët ndërkombëtar, rrjedhimisht vazhdimi i bisedimeve në kohën kur presidenti i Serbisë refuzon të shpërbëjë strukturat paralele është i palogjikshëm dhe i dëmshëm.

Krahas kundërshtimit të procesit të dialogut, deputetja Albana Fetoshi ka rrëfyer për aksionin e policisë një ditë më parë. Ajo tha se intervenimi i policisë ishte shumë brutal. Pas arrestimit sipas saj aktivistët u ofenduan me fjalët më banale dhe u rrahën me duar të lidhura.

Vetëvendosje bën të ditur se aktivistët e arrestuar janë në parabugrim 48 orësh dhe janë të shpërndarë në disa prej qyteteve të Kosovës.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA