Turqia dërgon Izraelin në GJND

04/09/2011 09:20

Turqia ka deklaruar se do të sfidojë bllokadën e Izraelit në Gaza në Gjykatën Ndërkombëtare të Drejtësisë.

Kjo është shenja e fundit e përplasjes mes dy vendeve që prej aksionit të vitit të kaluar, kur komandot izraelitë vranë 9 aktivistë turq në një anije që po conte ndihma në Gaza.

Ministri i Jashtëm, Ahmed Davutoglu ka deklaruar se Turqia nuk i pranon konstatimet në raportin e OKB-së, që thonë se bllokada izraelite në Gaza ishte një masë sigurie legjitime.

Komentet e shefit të diplomacisë turke vijnë pasi Ankaraja zyrtare dëboi nga vendi ambasadorin izraelit, si dhe ndali bashkëpunimin ushtarak me Izraelin.

Duke folur në një televizion shtetëror turk, Davutoglu tha se raporti i OKB-së nuk është miratuar nga Kombet e Bashkuara dhe për rrjedhojë nuk është detyrues.

Ai është përgatitur nga ish-kryeministri i Zelandës së Re, Goeffrey Palmer dhe ish-presidenti kolumbian Alvaro Uribe.

Prishen Turqia me Izraelin

Turqia ka pezulluar të gjitha marrëveshjet ushtarake me Izraelin dhe ka vendosur të dëbojë ambasadorin e këtij vendi nga Ankaraja.

Lajmin e ka bërë të ditur ministri i Jashtëm turk, Ahmet Davutoglu, i cili ka nënvizuar se Turqia do të reduktojë praninë e saj diplomatike në Izrael në nivelin e një sekretari të dytë.

Shefi i diplomacisë turke ka shtuar më tej se që nga dita e sotme Ankaraja nuk njeh as legjitimitetin e bllokadës izraelite në Gaza.

Vendimi i qeverisë turke vjen pasi OKB akuzoi Izraelin se kishte përdorur “frocë të tepruar” në operacionin e vitit të kaluar ndaj anijes turke që transportonte ndihma për palestinezët në Rripin e Gazës.

Izraeli: Falje Ankarasë? Kurrë

Izraeli nuk do të kërkojë kurrë falje për sulmin e majit 2010 ndaj anijes Mavi Marmara, ku humbën jetën nëntë pacifistë turqë të drejtuar për në Gaza.

Lajmin e ka bërë të ditur një burim diplomatik pasi Turqia ka përjashtuar ambasadorin izraelit në shenjë protestë kundër mungesës së dënimit të ngjarjes, në përfundim të hetimeve të ngarkuara nga OKB.

“Izraeli shpreh keqardhjen e tij, por nuk do të ketë kërkim faljeje për këtë operacion”, ka bërë të ditur burimi.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA