Wikileaks, Olldashi mohon akuzat

03/09/2011 20:30

Ministri i Transporteve, Sokol Olldashi ka mohuar akuzat e publikuara nga sajti Wikileaks se ka ndikuar në lirimin e të burgosurve para zgjedhjeve të vitit 2009.

“Enkelejd Alibeaj në atë kohë ministër i Drejtësisë, menjëherë pas zgjedhjeve të qershorit 2009, ka ndërmarrë një hetim bazuar në kërkesën e PS-së. Ç’sens do të kishte që unë implikokam ministrin e Drejtësisë për të liruar njerëzit nga burgjet dhe ministri i Drejtësisë heton vetëveten për proçedurën e lirimit nga burgu. Është marrëzi nga fillimi deri në fund. Jam tërësisht i gatshëm të vihem në dispozicion të institucioneve, duke filluar nga ato të drejtësisë, jam i gatshëm të raportojë përpara Kuvendit të Shqipërisë”, është shprehur Olldashi.

Ai, ashtu si një ditë më parë gjatë një interviste në Top Channel, thotë se vërtetësia e kabllogrameve që e lidhin atë dhe disa deputetë të tjerë të mazhorancës dhe opozitës me krimin, është e dyshimtë.

“Nuk kemi asnjë konfirmim nëse ky është një burim që vjen nga ambasada amerikane apo nga ndonjë burim që vjen nëpërmjet Wikileaks, kjo mbetet për t’u parë. Stili nuk më duket një stil zyrtar i të shkruarit, më duket një stil thashethemesh më tepër të tipit ballkanik sesa referuar një administrate serioze siç është administrata e SHBA-ve. Unë kam pasur fatin të jem ministër i Brendshëm i këtij vendi në një periudhë shumë të ngjeshur aktiviteti në luftën kundër krimit të, grupeve kriminale dhe trafikut të drogës dhe kam pasur fatin dhe privilegjin që të kem rezultate shumë të mira në këtë punë, rezultate që janë të çertifikuara nga raporte të BE-së dhe nga DASH në raportin e tij vjetor për Shqipërinë”, tha Olldashi.

Një ditë më parë faqja Wikileaks publikoi një dokument konfidencial të Ambasadës Amerikane, në të cilën disa figura të rëndësishme të politikës shqiptare akuzohen si të lidhur me krimin.

Top Channel