Gjashtë vjet pas kalimit të uraganit shkatërrues, “Katrina”, Nju Orlinsi në Shtetet e Bashkuara, po përgatitet për t’u përballur me një tjetër stuhi me erëra të forta dhe shria të rrëmbyeshshëm.
Stuhia tropikale me shira të dhunshëm e erëra tejet të forta, është pagëzuar me emrin “Lee”. Meteorologët amerikanë dhanë alarmin se gjatë ditëve të stuhisë, që parashikohet të godasë në fundjave Luizianën, pritet të bjerë deri në 50 cm shi.
Ndërkohë, Qendra Kombëtare e Uraganëve, përjashtoi mundësinë që “Lee” të shndërrohet në uragan, c’ka do të ishte i dyti brenda pak ditësh që kalon në SHBA, pas “Irene” që la pas 46 viktima e shkatërrim në bregun lindor të SHBA-ve.
SHBA, Obama shpall “katastrofën madhore”
Presidenti amerikan Barack Obama ka shpallur pak ditë më parë zyrtarisht si “katastrofë madhore” përmbytjet dhe dëmet e shkaktuara nga uragani “Irene” në Karolinën e Veriut dhe Nju Jork.
Lëvizja në fjalë u mundëson dy shteteve për të kërkuar fonde federale shtesë për përballimin e dëmeve.
Më herët presidenti Obama firmosi deklaratat e emergjencës për katër shtete të tjera, mes të cilëve edhe Vermonti, ndër më të dëmtuarit.
Rreth 46 persona mbetën të vrarë në Shtetet e Bashkuara si pasojë e uraganit, i cili shkaktoi gjithashtu dëme me vlerë 10 miliardë dollarë dhe “fikjen” e Nju Jorkut.
SHBA nis planin afatgjatë të rekuperimit
Në brigjet lindore të Shteteve të Bashkuara ka nisur pastrimi pas shkatërrimit të stuhisë tropikale “Irene”.
Në veri-lindje të SHBA-se uragani ka shkaktuar përmbytje historike, si dhe mungesë energjie elektrike në 5 milionë shtëpi.Në Nju Jork, ku dëmet nuk ishin aq të mëdha sa parashikoheshin, ditën e sotme rifilloi nga puna transporti publik.
Shteti i vogël i Vermontit ka filluar punën për të marrë veten nga përmbytjet më të dëmshme të regjistruara pothuajse në një shekull, të cilat shkatërruan ura dhe mbuluan qytetin Bratëllboro.
“Ne u përgatitëm për më të keqen dhe më e keqja ndodhi në Vermontin qendror dhe jugor, ku infrastruktura është shkatërruar”, ka deklaruar sot guvernatori Peter Shumlin.
Qindra personave u është thënë të braktisin kryeqytetin Montpelier, i cili mund të përballet me një përmbytje të dytë.
Pas uraganit “Irene”, përmbytja e dytë mund të vijë nëse kompania që menaxhon ujërat vendos të hapë portat për të shpëtuar një rezervuar, ku uji po arrin nivel rekord.
Top Channel