KQZ nuk merr vendim për komunën Shalë

03/09/2011 14:45

Komisioni Qendror i Zgjedhjeve nuk ka mundur të marrë një vendim për kërkesën ankimore të Partisë Demokratike për pavlefshmëri të zgjedhjeve në komunën Shalë në Shkodër për shkak të mosarritjes së kuorumit të nevojshëm prej pesë votash.

Pas më shumë se dy orë debatesh, KQZ votoi me katër vota pro dhe dy kundër kërkesën ankimore të PD, e cila kërkonte pavlefshmëri të zgjedhjeve me arsyetimin se disa zgjedhës janë ndaluar të marrin pjesë në votim, ndërsa dy të tjerë kanë votuar pa pasur emrin në listë dhe kjo për përfaqësuesit ligjorë të PD përbën shkelje të ligjit.

Ndërkaq, përfaqësuesit ligjorë të Partisë Socialiste kanë shpjeguar se këta persona të cilët nuk janë lejuar të votojnë kanë pasur probleme me të dhënat personale ndërsa dy personat që nuk kanë pasur emrin në listë kanë votuar me vendim gjykate.

Tashmë, çështja e komunës Shalë, e cila po mban peng edhe rezultatin përfundimtar të zgjedhjeve të 8 majit, pritet t’i kalojë për shqyrtim Kolegjit Zgjedhor, nga ku do të vendoset nëse do të përsëriten për të tretën herë zgjedhjet në këtë komunë apo do të zyrtarizohet fitues me dy vota diferencë kandidati i opozitës.

Top Channel