Kabllogrami: Kriminelët që bëjnë ligjin në Kuvend

03/09/2011 20:10

“Kriminelët që bëjnë ligjin në Parlament”. Ky është titulli i kabllogramit përmes të cilit Ambasada Amerikane ka renditur një listë me politikanët nga PD, PS dhe LSI si të lidhur me botën e krimit.

Tre forcat më të mëdha politike në vend kanë deputetë të lidhur me krimin e organizuar, por ambasada nuk mundet në mënyrë legale të provojë të tilla lidhje.

Parlamenti i ri i dalë nga zgjedhjet e 2009-s ka disa trafikantë droge si dhe të përfshirë në pastrim parash.

Ambasada Amerikane e nis reditjen e deputetëve të lidhur me krimin me Tom Doshin nga PS për të cilin shkruhet:

“Ai është deputet i Shkodrës nga PS. I njohur si më i pasuri nga deputetët e Kuvendit me një pasuri të deklaruar prej 15 milionë dollarësh. I dyshuar për trafik lëndësh narkotike”.

“Lefter Koka deputet i Durrësit nga LSI është anëtar i mbase organizatës kriminale të një familjeje në Shqipëri e përfshirë në lëndët narkotike të qënieve njerëzore dhe tw tjera aktivitete fitimprurëse”.

“Sokol Olldashi ministër i Transportit dhe Telekomunikacionit nga PD i dyshuar për kondrabandë dhe trafik lëndësh narkotike. Provat rrethanore e lidhin me Fatmir Kajollin në Fier dhe ministrin e Drejtësisë Enkelejd Alibeaj në skemën e lirimit të burgosurve për t’u përdorur gjatë fushatës elektorale si të fortë”.

“Lulzim Basha, sipas një burimi nga PS, ishte i përfshirë në mundësimin e lirimit nga burgu të një krimineli të rrezikshëm për të marrë përfitime dhe suport nga familja e tij kriminale, e cila premtoi të organizojë popullin e Elbasanit në mbështetje të Bashës. Ky kriminel ishte liruar në 29 qershor një ditë pas zgjedhjeve”.

“Paulin Stërkaj, 48 vjeç, ish deputet i PD-së dhe aktualisht i PS-së, nga Shkodra, një ish mundës profesionist me pak ose aspak arsim. Stërkaj që më parë ishte në PD, është akuzuar nga një mik për vrasjen e një politikani në Shkodër disa vite më parë. Stërkaj pretendon se ka interesa biznesi në naftë dhe ndërtim, por pak dihet për aktivitetet e tij”.

“Gramoz Ruçi deputet dhe sekretar i përgjithshëm i PS-së. Ruçi ka lidhje të vjetra me trafikantë droge dhe krim të organizuar. Ruçi gjithashtu është ndaluar të futet në SHBA që nga viti 2005 për mospasje të të drejtës në marrjen e vizës”.

“Të tillë individë tani deputetë, – shkruhet në komentin e kabllogramit – kanë imunitet dhe janë përgjegjës për miratimin e ligjeve të cilat do ta çojnë Shqipërinë drejt integrimit euroatlantik”.

“Sjellja prej krimineli e disa deputetëve shqiptarë është shqetësuese – thotë ambasadori Withers – pasi nuk shkon me zhvillimet demokratike. Ajo që thuhet për të tillë deputetë është se të gjitha partitë kanë të tillë deputetë me lidhje tek krimi organizuar dhe se pranojnë para prej krimit të organizuar. E gjitha është një fenomen që ne komuniteti ndërkombëtar – thekson Withers – duhet ta adresojmë në të ardhmen pasi ka edhe disa deputetë të cilët kanë nisur të ndërgjegjësohen, se të tillë karaktere nuk duhet të kenë vënd në parlament”.

“Sa kohë do të duhet për të larguar deputetët e inkriminuar kjo është një pyetje tjetër”.

Top Channel