Kabllogramet, PS: Të rinisin hetimet

03/09/2011 15:55

Kabllogramet e Wikileaks për Shqipërinë që ngjasojnë me hapjen e kutisë se Pandorës për shkak të fakteve dhe zyrtarëve të lartë të përfshirë në skanadale të ndryshme, janë cilësuar nga socialistët si një mundësi themelore për Prokurorinë për t’i dhënë udhë hetimit të disa ngjarjeve ta pazbardhura.

Mbi të gjitha, sipas deputetit Taulant Balla, kabllogrami i qershorit 2008 ku gjatë një bisedë mes shefit të shtabit të kohës, Luan Hoxha dhe ambasadorit amerikan Withers përmendet edhe djali i kryeministrit Shkëlzen Berisha si një person i përfshirë në ngjarjen e Gërdecit.

“Wikileaks dhe kabllogramat diplomatikë ndihmojnë duke dhënë informacione shtesë mbi informacionet që Prokuroria ka administruar deri në proçesin e hetimit të Gërdecit dhe unë i bëj thirrje sot Prokurorisë së Përgjithshme që mbi këto informacione të rifillojë hetimin duke thirrur dhe duke marrë të gjitha masat e ndalimit të personit që përmendet si kreu i këtij krimi shtetëror, në rastin në fjalë djali i komunistit Sali Berisha”, është shprehur Balla.

Jo më pak shqetësues, sipas zotit Balla, është edhe kabllogrami që përfshin në lidhje korruptive dhe kriminale zëvendësdrejtorin e përgjithshëm të policisë Agron Kuliçaj.

“Duhet medoemos largimi i këtij individi nga policia e shtetit, ndërkohë që Prokuroria e Përgjithshme dhe institucione të tjera të specializuar në vend, të fillojnë menjëherë hetimin, për të identifikuar të gjitha problematikat që ngrihen sepse ky person rezulton të jetë i lidhur me çështje dhe afera të tjera korruptive, kriminale në këtë vend”, theksoi Balla.

Në emër të Partisë Socialiste, deputeti Balla i ka bërë thirrje Prokurorisë të mos heshtë, por të hetojë në mënyrë profesionale dhe rrënjësore këto ngjarje.

PS: Ftesa e Topallit, jo e sinqertë

Socialistët e cilësuan jo të sinqertë dhe në vazhdën e manipulimeve mediatike ftesën e krytares së Kuvendit, Jozefina Topalli pak ditë më parë.

Deputeti Balla tha se përtej letrave që zonja Topalli shkruan thuajse në mënyrë identike çdo fillim sezoni në adresë të opozitës ajo duhet të japë përgjigje për shkeljet e vazhdueshme në drejtimin e Kuvendit.

Shkeljet e ravijëzuara sipas deputetit socialist edhe në raportet e ndërkombëtarëve e që nisin që nga mungesa e transparencës me fondet e deri tek shkelja e rregullores së Kuvendit.

“Nuk është fajtore opozita për keqpërdorimin e pozicionit të kryetares së Kuvendit. Progres-raportet çdo vitë kanë sjellë në vëmendjen e autoriteteve shqiptare, mungesën e transparencës së buxhetit të Kuvendit. Nuk e dimë se si është përdorur buxheti i Kuvendit të Shqipërisë. Dimë vetëm përmes një raporti më të fundit që të gjitha zërat investime janë zero që do të thotë se çdo para është harxhuar në nivelin e vetë maksimal”, tha Balla.

Deputeti socialist tha se vazhdimësia me shkeljet nga zonja Topalli e ka kthyer Kuvendin në një pronë personale të saj ku mungesa e profesionalizmit, por edhe dhuna verbale janë elementet e tjerë që pengojnë jetën normale parlamentare të opozitës.
 

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA