Statusi, Haxhinasto: Presim përgjigje pozitive

02/09/2011 15:45

Komisioni Europian më 12 Tetor do të japë vlerësimin nëse Shqipëria do
ta marrë statusin e vendit kandidat. Kur kanë mbetur edhe pak javë për
të mësuar vlerësimin europian për vendin tonë, Edmond Haxhinasto
zëvëndëskryeministër dhe ministër i Punëve të Jashtme shpjegon rëndësinë
e implementimit të planit kombëtar për integrimin.

“Ky plan është miratuar tashmë nga komiteti ndërministror i Integrimit që në qershor, është një plan që është hartuar në disa aktivitete, në disa forume, duke përfshirë dhe Komisionin Parlamentar të Integrimit, Komisionin e Jashtëm. Ky plan në thelbin e tij ka pikërisht veprimet që duhen realizuar për plotësimin e bllokut të rekomandimeve që njihet për publikun shqiptar, si 12 rekomandimet e raportit të kaluar, të Komisionit Europian për Shqipërinë. Por është shumë e rëndësishme që të kuptohet që problemi nuk qëndron te plani, problemi nuk qëndron te substanca e këtij plani, problemi qëndron te vullneti politik për t’u angazhuar në një proces normal të dialogut politik, të bashkëpunimit politik, për të realizuar ato ligje, ato reforma që kërkohen nga ky plan”, tha Haxhinasto.

Ministri Haxhinasto e vlerëson si të nevojshëm realizimin e një pakti kombëtar për integrimin, të propozuar nga LSI që sipas tij është vijimi i rezolutës parlamentare të 2009 për integrimin. Vlerësimi që do të marrë Shqipëria nga Komisioni Europian, sipas zotit Haxhinasto, nuk është i kushtëzuar vetëm me plotësimin e 12 prioriteteve.

“Vlerësimi i Bashkimit Europian për Shqipërinë është shumë më i gjerë, Bashkimi Europian vlerëson ecurinë e përgjithshme të Shqipërisë jo vetëm aspektin politik,jo vetëm në dimensionin politik, por janë edhe shumë dimensione të tjera që vlerësohen. Elementi politik i bashkëpunimit politik është një nga ato elementë, ose shtylla mbi të cilat bazohet vlerësimi për Shqipërinë. Nëse do të shihet në mënyrë të qartë që opozita është në parlament, funksionon si një forcë politike serioze moderne, si një forcë politike, që mbi të gjitha vendos interesin e vendit, integrimin e tij, atëherë edhe reagimi nga ana e BE-së në vlerësimin e tij do të jetë i ndryshëm do të jetë mjaft pozitiv”, tha Haxhinasto.

Pyetjes nëse për të dytën herë Shqipëria nuk do ta marrë statusin e vendit kandidat kujt do t’i faturohet ky dështim, ministri Haxhinasto jep këtë përgjigje: “Përsa i takon faturës do t’i faturohet Shqipërisë. Asnjë forcë politike nuk duhet të mendojë se duke qenë destruktivë duke qenë të mosangazhuar në këtë proces mund të përfitojë politikisht, mund të vendosë kosto mbi ndonjë forcë tjetër politike, mund të vendosë në rastin konkret, kosto mbi qeverinë, absolutisht jo! Kosto do të shkojë më pas tek elektorati shqiptar, i cili do të jetë ai që do të vendose”.

Optimizmi shefit të diplomacisë shqiptare se Shqipëria do ta fitojë statusin e vendit kandidat do të legjitimohet, mesditën e 12 Tetorit nga mbledhja e Komisionit Europian

Top Channel