Qyteti i dikurshëm romak i Viminacijum ka pritur presidentët e Evropës
Juglindore në samitin e nëntë rajonal për trashëgimi dhe ripajtim. Nën
masa të mëdha sigurie dhe pritje solemne, presidentët janë  takuar në
një objekt të stilit romak.

Në këtë takim ka ardhur edhe delegacioni shqiptar në krye me presidentin, Bamir Topi.
Presidenti shqiptar do të ketë takime bilateral me presidentin e Maqedonisë dhe atë të Malit të Zi, ndërsa në orët e pasdites pritet të ketë edhe një takim me presidentin serb Tadic.

Në samit kanë arritur presidenti kroat, Ivo Josipovic, ai i Malit të Zi, Filip Vujanovic, presidenti maqedonas Gjorge Ivanov, presidenti bullgar Georgi Parvanov dhe anëtari i presidencës boshnjake, Bakir Izetbegovic.  Po ashtu marrin pjesë edhe delegacione të shumta të organizatave ndërkombëtare.

Drejtoresha e Përgjithshme e UNESCO-s Irina Bokov, komisarja evropiane për edukim, kulturë, shumëgjuhësh dhe të rinj, Andrula Vasilliju dhe Drejtoresha e Përgjithshme për Edukim, Trashëgimi, Kulturë dhe Sport e Këshillit të Evropës Gabriela Bataini Dragoni.

Samitin e ka hapur presidenti Tadic, ndërsa pas diskutimeve lidhur me temën presidentët pritet të dalin edhe me një deklaratë të përbashkët.
 
Topi:  Kosova,faktor paqeje në rajon

Presidenti i Republikës, Prof. Dr. Bamir Topi mori pjesë sot në Samitin e 9-të Rajonal të UNESCO-s të Krerëve të Shteteve të Evropës Juglindore që po zhvillon punimet në Viminacium (Serbi). Në praninë e të ftuarve të tjerë në këtë veprimtari të rëndësishme rajonale, Kryetari i Shtetit Shqiptar mbajti dhe një fjalë përshëndetëse, në të cilën së pari vuri në dukje bindjen se mesazhi që do të përcillet nëpërmjet këtij Samiti me temë: “Arti modern dhe pajtimi në Evropën Juglindore” do t’i shërbejë forcimit të dialogut dhe njohjes së mëtejshme e të ndërsjellë mes popujve dhe kulturave të vendeve të rajonit.

Pasi theksoi se Ballkani historikisht ka treguar që zotëron fuqi për të jetuar në një mjedis me fizionomi të ndryshme nga të tjerët, në fjalën e tij, Presidenti i Republikës nënvizoi faktin se “arti dhe kultura janë mjete të fuqishme për të tejkaluar problemet që kanë mbajtur peng për një kohë të gjatë rajonin tonë” dhe se “ai nxit shprehi të reja, që përjashtojnë dhunën, intolerancën dhe paragjykimet.” “Trashëgimia jonë kulturore njëherazi na identifikon e na dallon nga njëri-tjetri, por edhe na bën të kuptojmë edhe sa të ngjashëm jemi”, – u shpreh Presidenti Topi, duke nënvizuar se “arti modern, ashtu si trashëgimia kulturore e secilit prej vendeve tona duhet nxitur, promovuar, ruajtur dhe duhet kaluar brezave pasardhës”.

Në fjalën e tij, Kryetari i Shtetit Shqiptar u ndal në mënyrë të veçantë në faktin se jashtë diskutimit në këtë Samit nuk duhej të mbetej Kosova, shteti më i ri i Evropës. “Ajo është një pjesëmarrëse legjitime në veprimtari të tilla si dhe një faktor paqeje e stabiliteti në rajon. Kosova, me kulturën e saj të vjetër dhe të re, me artin e saj modern e bashkëkohor, me zërat e saj më të artikuluar, do t’i forcojë lidhjet politiko- kulturore me popujt e tjerë në rajon dhe sidomos me fqinjët. Për këtë duhet vullnet i gjithanshëm, sepse pajtimi është plotësisht i mundur. Popujt nuk mund dhe nuk duhet të jetojnë me tensione dhe me komplekse që vijnë nga e kaluara, por në paqe e në harmoni dhe sigurisht, gjuha e artit, pluraliteti i tij janë instrumente shpirtërore të pazëvendësueshme komunikimi”.

Ndërkohë pasi ka përfunduar pjesa e parë e samitit, krerët e vendeve po zhvillojnë vizita në vendet arkeologjike.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA