Meksikë, vriten dy gazetare

02/09/2011 12:00

Lista e gazetarëve të vrarë në Meksikë vazhdon të zgjatet. Trupat e dy
reportereve, Marcela Yarce dhe Rocio Gonzales Trapaga, janë gjetur në
një lagje të Qytetit të Meksikos.

Lajmin e kanë bërë të ditur hetues të kryeqytetit meksikan, sipas të cilëve dy gazetaret, mikesha prej shumë vitesh, ishin takuar për të pirë një kafe dhe më pas ishin zhdukur.

Sipas burimeve, të dyja ato kanë humbur jetën për shkak të asfiksisë dhe janë gjetur në parkun Iztapalapa me trupat plotësisht të zhveshur.

Marcela Yarce ka qenë themeluese dhe drejtuese e marrëdhënieve me publikun tek e përjavshmja “Contralinea”, e njohur për investigimet e kryera në vitet e fundit lidhur me korrupsionin.

Ndërsa Trapaga punonte në mënyrë të pavarur, pasi kishte qenë për vite të tëra një ndër gazetaret më të njohura të një televizioni.

Kjo e fundit drejtonte një pikë këmbimi valutor pranë aeroportit të qytetit të Meksikos dhe dje kishte tërhequr një shumë të madhe parash.

Pikërisht për këtë arsye, hetuesit mendojnë se dy gratë janë vrarë pasi janë vjedhur, edhe pse për momentin nuk përjashtohen edhe pista të tjera.

Vdekja e dy gazetarëve është konfirmuar edhe nga vetë mediat me të cilat ato bashkëpunonin.

“Me trishtim të thellë, por edhe me indinjatë, kërkojmë nga autoritetet që të hetojnë dhe të zbardhin sa më parë vrasjen e dy kolegeve”, ka deklaruar redaksia e “Contralinea”.

Sipas Fondacionit Meksikan për Lirinë e Shprehjes, nga viti 2000 e deri më sot janë 83 gazetarët e vrarë në vend.

Javën e kaluar Humberto Salazar, drejtor i një të përditshmeje online, e specializuar në cështjet politike, u gjet i vdekur në një qytet të shtetit të Sinaloas.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA