Liderët e rinj të Libisë kanë siguruar ata botërorë se do të ndërtojnë një shoqëri me tolerancë dhe respekt për rregullat dhe ligjin.
Duke folur në takimin e Parisit, kreu i Këshillit Kombëtar të Tranzicionit, Mustafa Abdel Jalil premtoi një kushtetutë të re dhe zgjedhje brenda 18 muajsh.
Presidenti francez Nicolas Sarkozy, që organizoi konferencën, theksoi nevojën për bashkërendim dhe zemërbutësi.
Ai tha se sulmet ajrore do të vazhdojnë për aq kohë sa koloneli Muammar Gaddafi të përbëjë një rrezik për vendin.
Zoti Sarkozy nënvizoi gjithashtu se 63 vendet në takim janë të gatshme t’i kthejnë asetet e ngrira popullit libian.
Koloneli Muammar Gaddafi nuk është kapur ende nga autoritetet e përkohshme. Në një mesazh audio të transmetuar në një televizion besnik të enjten, ai deklaroi se nuk ka ndërmend të dorëzohet.
Libi, çmimi i lirisë, 50 mijë të vrarë
Çmimi i paguar për rrëzimin e diktatorit Muamar Gadafi është i lartë. 50.000 vetë besohet të jenë vrarë gjatë rebelimit kundër regjimit të pushtetmbajtësit libian.
Me këmbëngulje vazhdon të përhapet fjala se vetë Gadafi ndodhet në qytetin e tij të lindjes. Lajme të tjera flasin për qytetin Beni Ualid, në jug-lindje të Tripolit, ku koloneli gezon një mbështetje të gjerë.
Zëdhënësi i kryengritësve, Al Amen Bolhaj e paraqet jo shumë të rëndësishëm një arrestim të mundshëm të Gadafit.
Gadafi: Shkatërroni vendin
“Shkatërroni Libinë!”. Kështu është shprehur Muammar Gheddafi në një mesazh audio të shpërndarë në kanalin “Al Arabiya” duke nxitur fiset libiane për luftë.
“Vazhdoni të luftoni edhe nëse nuk luftoni zërin tim. Fiset e Bani Walid dhe Sirte janë të armatosura dhe është e pamundur t’i nënshtrosh”, ka deklaruar Koloneli.
I plotë mesazhi do të transmetohet nga televizioni “al Rai”, me bazë në Damask, siç bën të ditur kanali satelitor “Al Arabiya”.
Top Channel