Izraeli nuk do të kërkojë kurrë falje për sulmin e majit 2010 ndaj anijes Mavi Marmara, ku humbën jetën nëntë pacifistë turqë të drejtuar për në Gaza.
Lajmin e ka bërë të ditur një burim diplomatik pasi Turqia ka përjashtuar ambasadorin izraelit në shenjë protestë kundër mungesës së dënimit të ngjarjes, në përfundim të hetimeve të ngarkuara nga OKB.
“Izraeli shpreh keqardhjen e tij, por nuk do të ketë kërkim faljeje për këtë operacion”, ka bërë të ditur burimi.
Prishen Turqia me Izraelin
Turqia ka pezulluar të gjitha marrëveshjet ushtarake me Izraelin dhe ka vendosur të dëbojë ambasadorin e këtij vendi nga Ankaraja.
Ministri i Jashtëm turk, Ahmet Davutoglu ka nënvizuar se Turqia do të reduktojë praninë e saj diplomatike në Izrael në nivelin e një sekretari të dytë.
Shefi i diplomacisë turke ka shtuar më tej se që nga dita e sotme Ankaraja nuk njeh as legjitimitetin e bllokadës izraelite në Gaza.
Vendimi i qeverisë turke vjen pasi OKB akuzoi Izraelin se kishte përdorur “forcë të tepruar” në operacionin e vitit të kaluar ndaj anijes turke që transportonte ndihma për palestinezët në Rripin e Gazës.
OKB: Izraeli përdori forcë të tepruar
Një raport i OKB-së thotë se Izraeli përdori “forcë të tepruar” gjatë sulmit në anijen me ndihma për Gazën vitin e kaluar.
Por megjithatë, bën të ditur “Neë York Times”, bllokada detare që Izraeli kishte vënë në Gaza ishte tërësisht ligjor.
OKB vlerëson gjithashtu se komandot izraelite u përballen me një rezistencë të dhunshme dhe të organizuar kur hipën në bordin e anijes “Mavi Marmara”.
Anija e sulmuar, me flamur turk, ishte pjesë e një grupi anijesh që po tentonin të shkelnin bllokadën izraelite në Rripin e Gazës.
Nëntë aktivistë mbetën të vrarë gjatë sulmit, që u krye në maj të vitit 2010 dhe solli një reagim ndërkombëtar dhe coi në një përplasje diplomatike mes Izraelit dhe Turqisë.
Raporti, që pritej të plotësohej në muajin shkurt, do të publikohet më vonë gjatë ditës së sotme, por “NYT” arriti të siguronte disa informacione.
“Vendimi i Izraelit për të hipur në varke me këtë lloj force, në një distancë të largët nga bllokada ishte i tepruar dhe i paarsyeshëm”, thuhet në raport.
Megjithatë, hetimi shton se bllokada detare ishte ligjore pasi parandalonte importin e armëve përmes detit.
Top Channel