Lordi xhamajkan i drogës, Christopher “Dudus” Coke, është vetëshpallur
fajtor për akuzat e ngritura ndaj tij nga një gjykatë federale e Nju
Jorkut.
Coke, 42 vjec, ka pranuar gjithashtu komplotimin për kryerjen e një sulmi me armë të rrezikshme zjarri, me qëllim shantazhin e personave të caktuar.
Dënimi ndaj tij pritet të jepet më 8 dhjetor dhe parashikohet të jetë 23 vjet burg.
Operacioni 5-javor për arrestimin e tij në kryeqytetin xhamajkan Kingston, vitin e kaluar, coi në përleshje të dhunshme të shoqëruara me viktima.
Qeveria amerikane deklaroi se Coke ka qenë një nga kriminelët më të rrezikshëm në botë, por mbështetësit e tij thanë se ai ishte thjesht lideri i një komuniteti.
Në qershor të vitit 2010, Coke u ekstradua në Shtetet e Bashkuara. Ai tha se kishte pranuar të përballej me drejtësinë në këtë vend për shkak të interesave të familjes dhe vendit të tij.
Ditën e mërkurë, ai pranoi gjithashtu se kishte drejtuar një organizatë kriminale mizore me bazë në Kingston, e cila ka trafikuar marijuanë, kokainë dhe armë zjarri.
“Unë kam urdhëruar blerjen e armëve të zjarrit dhe importimin e tyre në Xhamajkë, me qëllim kërcënimin dhe shantazhin”, ka deklaruar Coke.
Top Channel