Ristani: OSBE vlerësoi KQZ-në

01/09/2011 00:00

Arben Ristani, kryetari KQZ i akuzuar nga opozita si përgjegjës kryesor për atë që selia rozë e konsideron si shkatërrim të proçesit zgjedhor, duke komentuar raportin e OSBE-ODIHR deklaron se këto zgjedhje i plotësuan standardet. (UPDATE)

Kritikat e shprehura në raport në adresë të institucionit që drejton për zotin Ristani janë produkt i klimës së tensionuar në të cilën punoi KQZ.

“Vlerësimi im konvergon me raportin e OSBE-ODIHR si zgjedhje të lira dhe të ndershme zgjedhjet plotësuan thelbin e standarteve dhe angazhimeve të OSBE-s. Zgjedhjet transparante do të thotë që nuk u manipuluan dhe ishin të ndershme”, është shprehur Ristani.

TCH – Meqënëse në raport nuk përmendet fjala “standard”, a u plotësuan standardet?

Ristani – Standartet janë zgjedhje periodike, të njëkohëshme zgjedhje të lira dhe të ndershme të barabarta. Raporti e thotë në fjalinë e parë që zgjedhjet ishin kompetitive dhe transparante, atëherë standardet janë plotësuar.

Kritikave në raportin e OSBE-ODIHR zoti Ristani i jep këtë përgjigje:

“Raporti ka vetëm një pikë ku thuhet se është thelluar mosbesimi ndaj paanshmërisë së komisionit. Vimë nga një atmosferë e paragjykuar me mungesë besimi dhe vimë në këtë konstatim të dytë. Raporti ka një vazhdimësi se si arsyeton”, tha Ristani.

Si “parqartësi”, kështu e quan zoti Ristani atë pjesë të raportit ku thuhet se KQZ mori vendime kur baza ligjore ishte e paqartë ose pa bazë ligjore siç ishte vendimi për numërinin e votave të hedhura gabim.

“Kemi vetëm një rast të debatuar kuptohet që pesha e rastit është e madhe se ka të bëjë me Tiranën, por në kuadër të gjithë Shqipërisë është vetëm një rast. Jam dakord që për momentin e parë mund të ketë patur paqartësi sigurisht nuk ishim në kushtete komode që të uleshim dhe arsyetonim me qetësi, sepse puna vazhdonte deri në orët e vona të natës është e kuptueshme që duhet kohë për të menduar arsyetuar dhe formatuar atë. Fillimi mund të ishte i paqartë e rëndësishme është që përfundimi të jetë i plotë i saktë i arsyetuar. Vendimi përfundimtar në këtë rast është lexuar në sallë me shumë faqe vendim. I arsyetuar plotësisht dhe me një bazë ligjore të qartë”, deklaroi Ristani.

I pyetur për një rikompozim të mundshëm të KQZ, siç thuhet në një prej 27 rekomandimeve Arben Ristani pranon se mund të ketë formula të tjera më të mira për administrimin e proçeseve zgjedhore në të ardhmen.

“Të gjitha formulat e përdorura deri më sot nuk i kanë shpëtuar kontestimit politik”, tha Ristani.

Pavarësisht se raporti i ndërmjetëm dhe ai përfundimtar pikturojnë një tabllo të zymtë për institucionin e KQZ-së, zoti Ristani deklaron se nuk ka përse të dorëhiqet. Njëkohësisht nuk e fsheh ambicjen për marrjen e një mandati të dytë.

“Sigurisht puna më pëlqen. Jam disi i përkëdhelur në sedër për vlerësimet e mira që ka marrë KQZ. Më pëlqen puna që bëj pse jo”, theksoi Ristani.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA