Lufta në Ukrainë/ Kievi dhe Moska drejt raundit të dytë të bisedimeve ballë për ballë, SHBA flet për hap të madh përpara
Liderët ndërkombëtarë, mes të cilëve kryeministri britanik David Cameron
dhe sekretarja amerikane e Shtetit Hillary Clinton, ndodhen në Paris
për të diskutuar mbi të ardhmen e Libisë.
Gjithashtu, sekretari i përgjithshëm i OKB-së do të jetë i pranishëm në konferencën “Miqtë e Libisë”, e organizuar nga presidenti francez Nicolas Sarkozy.
Rreth 60 vende dhe organizata do të jenë të pranishme në të, përfshirë Rusinë, e cila ditën e enjte njoftoi njohjen e Këshillit Kombëtar të Tranzicionit si autoriteti legjitim i Libisë.
Edhe qeveria kineze ka njoftuar se do të jetë e pranishme përmes të dërguarit të saj në këtë konferencë të madhe.
Ndërkohë, pritet që anëtarët e KKT-së të bëjnë presion për lirimin e fondeve të mëtejshme, pas zhbllokimit të 3.1 miliardë dollarëve në asete të ngrira nga SHBA dhe Britania në javët e fundit.
Ditën e djeshme, 140 milionë stërlina, pronë e shtetit libian, u dërguan nga forcat ajrore britanike për në Libi, si kësti i parë i shumës prej 950 milionë stërlinash që do t’i dorëzohen Bankës Qendrore të Libisë.
Konferenca “Miqtë e Libisë” zhvillohet një ditë pas mesazhit të të birit të kolonelit Muammar Gaddafi, Saif al Islam, se fitorja e regjimit është shumë pranë.
Saif deklaroi se ndodhej në rrethinat e Tripolit, se babai i tij është mirë dhe u bëri thirrje rebelëve që të dorëzohen.
“Rezistenca vazhdon dhe fitorja është shumë pranë”, deklaroi Saif al Islam përmes një mesazhi audio.
Top Channel