Nigeri, Al Kaeda pas sulmit ndaj OKB-së

31/08/2011 18:00

Një person që dyshohet për lidhje me Al Kaedën është i dyshuari kryesor për sulmin ndaj selisë së OKB-së në Abuja, në Nigeri.

Në një dokument të rezervuar policor thuhet se personi në fjalë është anëtar i grupit Boko Haram dhe së fundmi është kthyer në vend nga Somalia.

Gjithashtu, thuhet se dy anëtarë të tjerë të organizatës janë arrestuar më 21 gusht, pesë ditë para bombës, pas paralajmërimeve për një atentat në kryeqytet.

Atentati vetëvrasës i së premtes shkaktoi vdekjen e 23 personave dhe plagosjen e më shumë se 80 personave të tjerë.

Boko Haram, që lufton për vendosjen e ligjit “Sharia” në Nigeri, mori përsipër disa ditë më vonë përgjegjësinë e atentatit.

Grupi në fjalë dyshohet për kontakte me degën e Al Kaedës në Magrebin Islamik, që vepron në Afrikën Veriore, si dhe me me grupin Al Shabab në Somali.

“Hetimet kanë treguar se personi i identifikuar si Mamman Nur, një element i rrezikshëm i grupit Boko Haram i lidhur me Al Kaedën dhe i kthyer së fundmi nga Somalia, është truri i sulmit ndaj ndërtesës së OKB-së në Abuja”, thuhet në deklaratën sekrete të policisë.

Në dokumentin në fjalë nënvizohet se dy personat e arrestuar, Ismail Këaljima dhe Babagana Mali, janë dy liderë mizorë të sektit ekstremist. Ata u ndaluan në një bazë ushtarake dhe tre ditë pasi ishin paralajmëruar.

Boko Haram, i përkthyer fjalë për fjalë, do të thotë: “edukimi perëndimor është i ndaluar”.

“Më 18 gusht 2011, shërbimet sekrete siguruan informacione se elementë të Boko Haram ishin në një mision për të sulmuar objektiva të paspecifikuar në Abuja”, thuhet më tej në deklaratë.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA