I biri i Gaddafi, zëra për dorëzim

31/08/2011 22:00

Saadi Gaddafi, një nga djemtë e kolonelit, po negocion me rebelët për t’u dorëzuar.

Lajmin e bën të ditur Abdel Hakim Belhaj, një nga krerët ushtarakë të rebelëve libianë, në një intervistë për edicionin anglisht të Al Jazira.

Sipas Belhaj, i cili thotë se ka zhvilluar një bisedë telefonike më Saadi, i biri i liderit synon të negociojë dorëzimin kundrejt disa garancive.

Por, vetë i interesuari ka hedhur poshtë këto deklarata duke u shprehur se nuk ka asnjë negociatë me rebëlët dhe se nuk ka ndërmend të dorëzohet.

Përgënjeshtrimi ka ardhur përmes një e-mail që i biri i Muammar Gaddafi i ka dërguar rrjetit informativ amerikan CNN.

“Meqenëse rebelët nuk duan të negociojnë, nuk mendoj të shkoj tek ata dhe të dorëzohem. Ata kanë vrarë mijëra persona dhe kanë shkatërruar vendin”, ka shkruar Saadi.

Saadi thuhet se në këto momente ndodhet përkrah të atit Muammar, në një lokalitet i cili nuk dihet me saktësi. Rebelët thonë se ai fshihet në Bani Ualid, disa të tjerë në jug-lindje të Tripolit, ndërsa të tjerë në Sirte.

Përsa i përket kolonelit, Këshilli Kombëtar i Tranzicionit deklaroi më herët se është e drejta e tij që ta vrasë, përderisa ai nuk dorëzohet dhe vret popullin libian.

 

Al Islam: Rezistenca vazhdon, fitorja pranë!

Saif al Islam, një nga djemtë e Muamar Gadafit, i parë deri para pak muajsh si djali ku koloneli do të përcillte të gjithë pushtetin e tij, deklaroi se rezistenca kundër “bandave të armatosura” vazhdon.

Në një mesazh audio transmetuar nga televizioni Arrai, al Islam paralajmëroi rebelët të mos sulmojnë Sirten, qyteti ku ka lindur dhe mendohet se strehohet Gadafi.

“Ju flas nga një tunel i Tripolit. Duam qetësi dhe paqe për popullin libian. Jemi dhe do të jemi gjithmonë këtu. Rezistenca vazhdon! Fitorja është pranë!”, thuhet në mesazhin e al Islam.

Djali i Gadafit u kujdes të theksojë edhe se babai i tij është gjallë e ndodhet mirë:
“Udhëheqja është mirë”, tha ai.

Ndërkohë, rebelët mbajnë të rrethuar qytetin e Sirtes dhe u kanë dhënë ultimatum forcave mbrojtëse në këtë qytet të dorëzohen deri ditën e shtunë.
 

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA